1765112500_tiranapartizani.jpeg

Raundi i 15-të në Superligën e futbollit shqiptar ka rezervuar derbin Tirana - Partizani, i cili merr jetë sot në 'Air Albania' duke nisur nga ora 18:00.

Dueli i sotëm do të jetë përballja e 210-të në historinë mes tyre, në të gjitha kompeticionet. Në bilancin e përgjithshëm, të kuqtë e Partizanit numërojnë 82 fitore, 65 barazime dhe 62 fitore janë për bardheblutë.

Kjo epërsi vjen kryesisht nga rezultatet e arritura në kampionat, në të cilin Partizani në 179 ndeshje ka arritur 73 fitore, 57 janë barazime, ndërsa 49 janë fitoret e Tiranës.

Në ndeshjet për Kupën e Shqipërisë, bilanci është më pozitiv për bardheblutë që në 29 ndeshje kanë fituar 13, barazuar 8 dhe 8 ndeshje janë fituar nga të kuqtë.

Gjithashtu të dyja klubet kanë luajtur edhe një ndeshje finale në Superkupën e Shqipërisë më 17 gushtin e 2004, të fituar nga Partizani me rezultatin 2-0.

Përballja e parë mes Tiranës dhe Partizanit është luajtur më 30 mars 1947. “Demat e Kuq” fitonin 8-0, duke sigluar edhe fitoren më të thellë deri më tani në derbi. 38 vite më vonë, më 22 shtator 1985, Tirana do kundërpërgjigjej duke e mundur 7-3.

Rezultati më i thellë i sezoneve të fundit është ai 28 shkurtit të vitit 2020, kur bardheblutë fitonin me shifrat 5-1. Më 1 mars 2008, kur të kuqtë drejtoheshin nga Hasan Lika, fitonin në “Qemal Stafa” me shifrat 4-1.

Dy ndeshjet e fundit janë fituar nga Tirana, të dyja me rezultatin e njëjtë 3-0.


Lajmi kryesor:

Tiranës i ka mbetur vetëm fanella, Partizani 'hakmerret' dhe e mposht 0-2 në derbi! Bardheblutë mbeten në fundin e renditjes