Sfida për 2025? Të qënit Qytetarë dhe jo larg... qytetarë europianë

Sfida për 2025? Të qënit Qytetarë dhe jo larg... qytetarë europianë

Është një dualizëm i përjetshëm në Shqipëri: Qytetar vs fshatar. E sqarojmë që në fillim: Nuk ka të bëjë me prejardhjen, me origjinën, me vendlindjen, por me mënyrën se si një shqiptar qëndron në shoqëri. Kemi njohur Qytetarë fisnikë në fshatrat më të thellë, ashtu siç shohim përditë “fshatarë” të pagdhendur e të rëndë në zemër të qyteteve tona. Çfarë do të thotë qytetaria për Shqipërinë e mijëvjeçarit të tretë, ku Ajo vjen ende me plagë të hapura nga fëmijët e saj më të këqinj. Plagët e komunizmit të deformuar sipas shijeve të sëmura të një grushti njerëzish që imponuan Partinë-Shtet mbi gërmadhat e kishave, xhamive dhe kulteve që mbanin në këmbë moralin e një vendi të ngërthyer shkëmbinjve, lumenjve e brigjeve të trazuara. Plagët e një tranzicioni të gjatë e të lodhshëm, ku copëzat e qytetarisë u përzien dhunshëm me egërsinë e dëshirës për mbijetesë dhe për t’u përmirësuar. Materialisht.

Prona, vila, toka, veshje, shopping, botoks, agresivitet, ofendime, shpifje, sharje, karrierë, luks, falsitet, shtirje, fasadë…

A nuk ka ardhur koha për ndryshim? Tek shumë prej nesh ndjehet dukshëm, mjafton të shohim dëshirën për të marrë pjesë aktivisht në jetën publike. Një Qytetar e bën këtë: Ndikon për të mirën e përbashkët dhe pretendon të jetë i lirë të kërkojë më të mirën në arsimim dhe shëndetësi. Nëse shihni dhe dëgjoni një bashkëatdhetar të pretendojë Arsim e Shëndetësi dinjitozë, mos shihni prapaskena në kokën e tij, por vetëm se po bën atë që duhet të pretendojë çdo qytetar i mirë.

Ashtu si po shohim të tjerë bashkëatdhetarë të mobilizohen me përgjegjësi morale ndaj të tjerëve në shoqëri dhe ndaj mjedisit. Kemi arritur synime të mrekullueshme në Shqipërinë tonë, dikur të braktisur nga pelikanë kaçurrelë, nga flamingo, trofta e qefuj, me pemë të copëtuara e lumenj të sterrosur. Sot krenohemi me Vjosën Park Kombëtar dhe zonë e mbrojtur dhe frymëmarrjen e florës dhe faunës sonë të mrekullueshme.

Nëse shihni një bashkëatdhetar që lufton për të drejtat e njeriut, për njerëzit e brishtë të shoqërisë, për barazinë dhe respektin ndaj grave, nënave, vajzave, racave të ndryshme, fëmijëve, të moshuarve, kundër diskriminimit të gjinive dhe përkatësive, ai thjesht po bën detyrën si Qytetar dhe po përgatitet të jetë një qytetar i denjë i një Europe të së nesërmes.

Sepse herët a vonë do të na takojë dhe kjo që na përket: Do të jemi Qytetarë të Europës, ku qytetaria i hap kufijtë dhe bashkë me kufijtë edhe zemrën, dhe bën që të rrëzohen hendekët e paragjykimeve. Të jesh Qytetar i Europës do të thotë të jesh pjesë e një gjithësie vendesh të bashkuar nga vlera të përbashkëta si demokracia, të drejtat e njeriut, shumëllojshmëria kulturore dhe solidariteti. Të jesh Europian nuk të jep vetëm të drejtën e qarkullimit, të studimit, të punës, apo të jetesës në çdo vend të Bashkimit Europian, por edhe detyrimin e impenjimeve për këtë projekt të përbashkët të së ardhmes.

Prandaj ne shqiptarët, duhet të bëjmë prova të përgjithshme dhe të përgatitemi të jemi më të mirët për të përballuar sfida globale si ndryshimet klimatike, imigracioni, pabarazitë. Duhet të përgatitemi se të jemi Qytetarë Europianë do të thotë të përqafojmë një identitet multikulturor dhe të jemi të bindur për të punuar për një Europë të bashkuar, gjithëpërfshirëse dhe të shëndetshme. Kush më mirë se ne e ka forcën, freskinë, dëshirën për ta ofruar këtë? Dëshiroj, uroj, që të gjithë bashkë të përgatitemi për sa më shumë qytetari në Shqipërinë e 2025-s!

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Pr/ligjet e miratuara në Kuvend/ Rimbursohen profesionistët e lirë që paguan këstet e tatim-fitimit! Ngrihet shërbimi rezervist

Pr/ligjet e miratuara në Kuvend/ Rimbursohen profesionistët e lirë që paguan këstet e tatim-fitimit! Ngrihet shërbimi rezervist