Sfidat e ruajtjes së gjuhës arbëreshe dhe standardi

Sfidat e ruajtjes së gjuhës arbëreshe dhe standardi

Giuseppe Chiaramonte

Ndërhyrja e qeverisë shqiptare në fushën kulturore nuk i ka dhënë autonominë e nevojshme institucioneve kulturore, duke krijuar një lëmsh në qasjen se si duhet t’i mësohet gjuha brezit të ri, thekson profesor Giuseppe Chiaramonte.

“Dita e Arbëreshëve” që do të organizohet në Tiranë më 23 nëntor është një mundësi e mirë për të trajtuar problematikat e vëllezërve tanë përtej detit, por specialistët arbëreshë janë kritikë lidhur me këndvështrimet e ndryshme të institucioneve shqiptare.

Ata venë theksin në ruajtjen e të folurës të gjuhës arbëreshe në qytezat e ndryshme të Italisë ku banojnë arbëreshë. 

Studiuesi arbëresh, Giuseppe (Zef) Chiaramonte, tha për BIRN se “Dita e Arbëreshëve” që do të zhvillohet më 23 nëntor, “tashmë është bërë lëmsh nga këndvështrimet e ndryshme të dy institucioneve kulturore shqiptare, Akademia e Shkencave dhe QSPA (Qendra e Studimeve dhe Botimeve për Arbëreshët).  

“Një krijesë e re, kjo e fundit, në fushëveprim të ish-Ministrisë së Diasporës, po tashti si brinjë e Ministrisë së Punëve të Jashtëme – sqaron më tej prof. Chiaramonte, duke e vlerësuar rëndësinë e këtij institucioni shtetëror, për sa i përket botës arbëreshe.

Sipas prof. Chiaramontes ndërhyrja e qeverisë në fushën kulturore nuk i ka dhënë autonominë e nevojshme këtyre institucioneve.

“Kjo ndodh kur qeveria ndërhyn në mënyre masive te fusha kulturore, së cilës ose nuk i jep autonominë e nevojshme, ose e ve në kondita të pavolitëshme – shton studiuesi.  

“Ja se si dy institucionet e lartpërmendura kanë evidentuar dy mënyra të ndryshme se si duhet vepruar ndër arbëreshë:  me arbërishten apo me standardin? – argumenton Chiaramonte”

“Duket se Akademia e Shkencave (AShSh), e shtyrë edhe nga dy antarët e saj arbereshë, anon nga gjuha shqipe standarde.  Ndërhyn Kryeministria e pa një, pa dy, miraton këtë zgjidhje – thotë studiuesi arbëresh, duke shtuar:

Në të kundërt, QSPA sheh të natyrshëm mësimin e arbërishtes. Dmth, të mësohet shkrimi i arbërishtes lokale, duke përdorur alfabetin e Manastirit dhe rregullat drejtshkrimore të standardit”. 

QSPA (Qendra e Studimeve dhe Botimeve për Arbëreshët), ku bëjnë pjesë gjithashtu dy përfaqësues arbëreshë, dhe që mban lidhje me nje mori intelektualësh në Itali e sheh të udhës këtë zgjidhje si më e përshtatshmja.

Po çfarë ndodh aktualisht në qytezat arbëreshe për mësimin e gjuhës?

“Këto të folme arbëreshe ndryshojne nga pak vendbanim për vendbanim, por, të gjitha, përdoren vetëm gojarisht, pasi nuk e kemi zakon ta shkruajmë e ta lexojmë – sqaron prof. Chiaramonte.

Sipas studiuesit, që e zhvillon veprimtarinë e tij në Palermo dhe rrethina, përjashtim bën Mesha, Liturgjia hyjnore e Shën Jan Gojartit, kënduar arbërisht, e cila që nga viti 1968 zëvendëson greqishten. 

Sipas prof Zef Chiaramontes – “Ky tekst, në  përkthimin e tij zyrtar, është normë për priftërinjtë, dhe si doracak për besimtarët. Përpjekje të tjera drejt leximit arbërisht bëjnë disa revista tonat, siç janë: “Mondo Albanese”, “Kamastra”, “Jeta Arbëreshe”, “Katundi Ynë”, …

Në fund, vjen shkolla, ku me ligjin italian të vitit 1999 për ruajtjen e 12 pakicave gjuhësore, edhe arbërishtja ka të drejt të mësohet – ndalet veçmas Chiaramonte:

Sipas tij, nuk janë të pakët ata që e kanë marrë përsipër, pothuajse vullnetarisht, barrën e mesimit nëpër shkolla dhe në kurse për alfabetizim dhe kulturë arbereshe dhe shqiptare. 

Por mësuesit sipas studiuesit arbëresh duhet të kenë njohuri të thella të së folmes lokale dhe të njohin rregullat drejtshkrimore të standardit gjuhësor, me anë të të cilave do të “normojnë” shkrimin e çdo të folmeje arbëreshe. Në këtë mënyrë, frika e arbërishtfolësve, kinse “do na ndrojën gjuhën, nuk ka më arsye të përsëritet, kurse normimi e bën shkrimin të lexueshëm nga kushdo – thotë prof. Chiaramonte.

Profesori shtron pyetjen: “Përse shteti shqiptar nuk ndërhyn te shteti italian duke i kërkuar kurse përditisimi për mësuesit tanë? 

Këto kurse, për të patur vlerë zyrtare, duhen shpallur enkas nga Ministria Italiane e Arsimit. Për këto kurse do të shfrytëzoheshin katedrat e gjuhës shqipe që janë të pranishme te disa universitete italiane, si, p.sh.: Palermo, Kosenca, Roma, Napoli dhe Bari.

Nga raporti mes dy vendeve mund të kërkohet edhe që t'u jipet përparësi mësuesve arbëreshë në listën e mesimdhënësve në vendbanimet arbëreshe”. – shprehet Chiaramonte.

“Dita e Arbëreshëve duhej të ishte, me të vërtetë, një mundësi që na jipet neve, jo më për të shqyrtuar probleme që janë shqyrtuar e rishqyrtuar kahmoti, por për të punuar për ruajtjen e të folmeve tona – përfundon prof. Giuseppe Chiaramonte.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Tjetër atentat i dështuar ndaj Donald Trump? Policia kap një person të armatosur 1 km larg vendit të mitingut të ish-presidentit, në Kaliforni

SHBA/ Tjetër atentat i dështuar ndaj Donald Trump? Policia kap një person të armatosur 1 km larg vendit të mitingut të ish-presidentit, në Kaliforni