Një alpinist i guximshëm, i njohur në rrjetet sociale me nofkën "Spider-Mani i Jemenit", ka humbur jetën pasi ra në një krater vullkanik në jugperëndim të vendit.

Sipas autoriteteve lokale, Al-Qaqa Ibn Antar po përpiqej të ngjitej në faqet e pjerrëta shkëmbore të kraterit të premten, pa pajisje sigurie, kur humbi ekuilibrin dhe ra brenda. 30-vjeçari kishte një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale dhe ishte i njohur për kryerjen e marifeteve të rrezikshme akrobatike në videot e tij online.

Krateri vullkanik i Digës Hardah është një nga atraksionet natyrore më të njohura të vendit.

Në një deklaratë zyrtare, Autoriteti i Mbrojtjes Civile të Jemenit vlerësoi “përpjekjet heroike” të ekipit të shpëtimit në ujë për rikuperimin me sukses të trupit të Antarit “nga fundi i kraterit”. Operacioni u përshkrua si “jashtëzakonisht i rrezikshëm” dhe “një nga misionet më të vështira dhe komplekse të shpëtimit në terren”.

Sipas Associated Press, trupi i alpinistit u gjet brenda kraterit me gjerësi 120 metra, në një thellësi prej 30 metrash.

Diga Hardah, në provincën Dhale, është bërë një atraksion turistik vitet e fundit, falë një liqeni të nxehtë me përmbajtje squfuri që ndodhet në bazën e kraterit.