SHENGJIN- Jeta e natës dhe muzika live që performohet në baret e Shëngjinit po i bën më të bukura pushimet për turistët, që janë me mijëra që i janë drejtuar këtij bregdeti në këtë sezon turistik. Muzika popullore shqiptare vazhdon të jetë më e preferuara dhe më e ndjekura jo vetëm nga turistët vendas por dhe ata të huaj.
 
Kanë ardhur nga qytete të ndryshme shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë por që të gjithë preferencat e tyre mbeten tek tradicionalja. Për turistët ky është një relaks më vete, ndërsa e vlerësojnë Shëngjinin si një vend ideal për të kaluar pushimet verore.

Një shëtitje në shëtitoren e plazhit e cila mbipopullohet çdo natë e më pas një pije freskuese duke dëgjuar muzike tradicionale nga të gjitha krahinat, shërbimi prefekt dhe natyrisht plazhet e veçanta të Shëngjinit, kanë bërë që kjo zonë bregdetare të marrë vëmendje nga mijëra turistë vendas dhe të huaj.
 
Vera tashmë nuk ka vetëm temperaturat e larta, por edhe mbrëmjet festive në bregdetin e Shëngjinit. Këtë sezon Shëngjini ofron gjithçka kërkojnë pushuesit, ndërsa për çdokënd që do të kalojë pushimet verore në këtë zonë rikthimi duket i pashmangshëm.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)