Shahini sulmon pedagogët që kritikuan provimet, Boçi: Ministrja më e paaftë e të gjitha kohërave

Shahini sulmon pedagogët që kritikuan provimet, Boçi: Ministrja më e paaftë e të gjitha kohërave

Luciano Boçi

Ish-deputeti i PD-së, Luciano Boçi përsëri ka reaguar në lidhje me sulmin e ministres Besa Shahini ditën e djeshme ndaj pedagogëve që kanë kritikuar provimet e Maturës Shtetërore.

Shahini është shprehur se reforma kurrikulare shkollore po e çon arsimin drejt aftësimit të nxënësve, por pedagogët e universitetit po refuzojnë kokëfortësisht ta ndjekin këtë trend.

Kurse Boçi e konsideron njohjen e gjuhës letrare të ministres Shahini nën nivelin mesatar. Ai thotë se gjuha e përdorur nga ana e saj është fyese, me kontekst rruge dhe arrogante, sikur të mois ishte ministre por tifoze politike me formim arsimor mediokër të Rilindjes. Ish-deputeti e quan Shahinin ministren më të paaftë të të gjitha kohërave.

Analiza e plotë e Boçit:

ÇAF-ÇUFI MODERN I SHAHINIT DHE PEDAGOGËT “ANAKRONIKË”

Ministrja me një njohje nën mesatare të gjuhës letrare shqipe, ka sulmuar në mënyrë të padenjë me një status të denjë për “gocë rruge që kapet prej flokësh”, pedagogët në përgjithësi e ato të gjuhës dhe të letërsisë, të cilët kanë kritikuar me argumente shkencorë pavlefshmërinë e testit të letërsisë.

Gjuha e përdorur është fyese, me kontekst rruge dhe arrogante. Fyerja shkon deri në ofendim e arroganca deri në kërcënim.

Mos ta dija që është ministre, do mendoja që është shkruar nga ndonjë tifoze politike me formim arsimor mediokër e rilindjes që shpërblehet me ndere e buzëqeshje për stoicizmin banal të treguar në mbrojtje të së pambrojtshmes. Megjithatë dhe në raste të tjera nuk është se Besa ka bërë ndonjë diferencë nga ky perceptim.

Të them të drejtën jam ndjerë fatkeq deri në revoltë, tek zbuloja tragjikisht rresht pas rreshti, qenien në krye të arsimit të një niveli të tillë profesionalisht skandaloz dhe etikisht krejtësisht banal.

Deri tani kam thënë që Besa të japë dorëheqjen për shumë “gafa” e keqmenaxhime të sistemit arsimor, por pas kësaj po kërkoj të kthehet andej nga ka ardhur, që kund mos ia shohim bojën, pa hezituar se po bie në nivelin e Besës.

Një ministre, sado e politizuar të jetë nuk mund të lejohet të përdorë atë gjuhë. Dhe ka një fjalë të urtë “kur nuk di hesht”. Së paku këtë të kishte zbatuar dhe Ministrja më e paaftë e të gjitha kohërave, sa kur e dëgjon, ose lexon të merr malli dhe për Themie Thomain e Bujqësisë së diktaturës. Përkundër kësaj, Shahini ka nxjerrë shpatën dhe i është sulur si jeniçere e devotshme në emër të modernizmit, pedagogëve e pedagogeve, të cilëve nuk u njeh as punën, as meritat, as reputacionin, as kontributin, as vlerën. Me paturpësinë  e zakonshme, kërkon t’i nëpërkëmbë dhe t’i poshtërojë nën delirin e të qenit ministre. Mjerane ministre nuk e di që ato pedagogë që ajo ka anatemuar e kërcënuar, do s’do ajo, janë sot elita e mendimit albanologjik dhe punët e tyre që Besa nuk i ka parë as në ëndërr, janë të njohura kombëtarisht dhe ndërkombtarisht. Balta që ajo hedh në statusin e saj, bën pis vetëm atë vetë dhe askënd tjetër. Ministrja, e cila ka vite pune sa alternativat e një pyetje në testin e letërsisë, dhe alternativën e saktë për vitin e vet më të mirë akoma nuk e di,  merr përsipër t’i japë mend atyre që kanë gjithë jetën që merren më gjuhën dhe letërsinë. Guximi i injorantit nuk njeh kufij. Pa asnjë përvojë, apo kompetencë mësimdhënie në mësuesi dhe specifikisht në gjuhë e letërsi, madje me nivel të përgjithshëm që lë për të dëshiruar, Shahini u tregon arat e gjuhës dhe letërsisë atyre që i kanë të tyret. Flet me të njëjtën shkalafitje mentale e emocionale, siç bënte në video-selfiet e mësimit online, ku dilte si mësuese, pa qenë asnjë ditë e tillë. Shfaqej si specialiste IT, pa ia pasur haberin fare.  Fliste në ajër si metodiste e mbaruar, pa ditur nga lidhej gomari. Pozonte si spikere e paarritshme RTSH-je, pa qenë ndonjëherë lajmdhënëse. Në fund e ndriti. E bëri çorap e çorbë gjithçka, sa u detyrua ta mbyllë vitin shkollor para datës zyrtare. Dështoi si kudo me sukses të plotë. Nuk bërtiste kot Gëte i shkretë, kur shkruante: “Nuk ka gjë më të frikshme se injoranca në veprim”.

E sot “injoranca në veprim”, na flet për modernizim të paparë të sistemit parauniversitar, të cilin nuk po e arrin dot sistemi universitar. Jo për shkak të politikave të Ramës së saj, por për shkak të pedagogëve. “Injoranca nuk është argument”-shtojnë latinët. Për çfarë modernizimi na flet Ministrja?! Modernizimi që pretendon “injoranca në veprim”, i ngjan një çaf-çufi me avull i dalë shinash, i cili zvarritet zhurmshëm duke çjerrë e zhbjerrë arsimin. A e ka lexuar raportin e OECD çaf-çufja ministre, të dalë disa ditë më parë, i cili qartazi hedh poshtë delirimin e saj dhe shënjon katastrofën në arsimin parauniversitar?! Ja çfarë thotë raporti:

“Shumë mësues në Shqipëri vazhdojnë të përdorin një metodë tradicionale të përqendruar në mësimdhënie. Intervistat me mësuesit tregojnë një aplikim të kufizuar të disa prej aspekteve më inovative, siç janë vlerësimi formues dhe mësimi i aftësive të shekullit njëzet e një”- thotë raporti, i cili jep dhe rekomandime të qarta. Pra për çfarë modernizimi na flet Shahini? Ah po! Ndoshta e ka fjalën për këtë paragraf të raportit: “Shumë shkolla në zonat rurale nuk kanë materiale mësimore dhe luftojnë për të përmbushur nevojat e tyre themelore të infrastrukturës”. Ose me siguri për këtë përcaktim alarmant: “Nuk ka asnjë masë të standardizuar të arritjeve të nxënësve në shkallë kombëtare para klasës 12, kur ata i nënshtrohen Provimit të Maturës Shtetërore”. Këto nuk i them unë i thotë raporti e zeza mbi të bardhë. Modernizim për Shahinin janë kësisoj me siguri skandalet seksuale në shkolla, infrastruktura skandaloze, klasat kolektive në masë, kushtet higjeno-sanitare tmerruese. Modernizim për “injorancën në veprim”, është mungesa e laboratorëve IT, mungesa e platformave online, korrupsioni me tabletat e tekstet digjitale, drejtuesit militantë e keqtrajtimi e keqpagimi i mësuesve.

Po siç duket, Besa e ka gjetur paqen me veten, duke u nisur nga thënia e famshme e Benedetto Varchi-t “Më mirë të më shohin si injorant se sa si gënjeshtar”. Besa madje i ka të dyja.

Me verbërinë e saj që buron nga paaftësia, qartazi Ministrja Shahini e shpall veten paradoksalisht, vetëm Ministre të Arsimit Parauniversitar: “Hendeku mes arsimit parauniversitar dhe atij universitar - shkruan ajo - po shkon duke u zgjeruar”. Dhe këtë hendek e quan meritë e arritje të vetën. Pra ajo e ka bërë punën, pedagogët jo. Lajthitje kjo, apo padituri? Të dyja bashkë do thoja. Vetë ajo, e konsideron veten pra, jo përgjegjëse dhe jo Ministre për arsimin e lartë dhe pranon dështimin e sistemit Universitar, reforma e pretenduar e të cilit nisi me ligjin e mbrapshtë të 2015. Ndërsa po të pyesësh Ramën ai të hidhet në fyt dhe Arsimin e Lartë, ndryshe nga Besa, e quan suksesin më të madh të qeverisë së tij. Rama sikurse Besa është në paqe me veten, sepse është duke zbatuar thënien e Perandorit Ferdinand i Habsburgëve: "Unë jam perandor dhe unë i dua injorantët." Rama e do shumë veten dhe Shahinin. Kjo është e vërtetë.

“Ju lutem mos më lini të vdes “injorant”! Më gjeni cili është më injoranti midis këtyre të dyve dhe do ju fal universin” - do bërtiste nën kulmin e sarkazmës, që Besa nuk e dallon nga ironia, pedagogu e specialisti, kritizer i testit qesharak të letërsisë, teksa lexon statusin e të ashtuquajturës Ministre të Arsimit.

Megjithatë, jo çdo e keqe vjen për keq. Ka dhe një të mirë. E mira në këtë rast është e dhimbshme, por të paktën të gjithë pas kësaj kanë zbuluar përmasën e vërtetë të fatkeqësisë së drejtimit të sistemit arsimor dhe të paktën dinë formulën e shërimit që nis me largimin një orë e më parë të paaftësisë dhe banalitetit, “të  injorancës në veprim” që ka pushtuar drejtimin e këtij vendi e drejtimin e arsimit të tij.

Kujtojmë se pas protestave të maturantëve për provimet, ministria e Arsidmit vendosi që s'do të llogariten në vlerësim pyetjet e kundërshtuara nga ata.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • tani: 19/06/2020 12:31

    Kapaciteti e shkollimi i saj eshte pa dyshim shume superjor nga cdo i shkolluar ne Shqiperiqe te shkolluarit me arsim te larte jane aq te pavlere e aq te padje sa te vjen turp ti qush te arsimuar ne arsimin e larte.Tipik ke mikun tand politik Nard Ndoka,thojne qe ka 2 fakultete!!!!!!!!!!!Por edhe neqoftese ka ato diploma jane shperndar sipas shumes se lekeve te derdhura ne Universitetin e Shkodres e patjetet ne "kristal" si qendra te njohura te fallcifikimit arsimor.Na u ba Nardi bile edhe jurist tallen shkodranet ne Nardin e arsimin e larte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës