“Fitimi i një ulëseje në Kuvendin e Serbisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për palën shqiptare, veçanërisht për ato parti që mbrojnë idenë e parlamentarizmit dhe e konsiderojnë atë vendimtare në përpjekjet e shqiptarëve për të drejtat e tyre”. Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shaip Kamberi, përfaqësues i “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës”, listë që fitoi një mandat në Kuvendin serb pasi disa herë u përsëritën zgjedhjet në Tërnocin e Madh, në jug të Serbinë.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve më 5 korrik konfirmoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare serbe që janë mbajtur më 3 prill dhe po ashtu konfirmoi se kjo listë e shqiptarëve ka fituar një mandat në Kuvend. Me këtë, Kuvendi i Serbisë fitoi edhe një votë opozitare, e vetmja që mund të flasë drejtpërdrejt në emër të pakicës kombëtare shqiptare.
Por, u deshën tre muaj që shqiptarët të fitonin një mandat. Zgjedhjet në Tërnocin e Madh, fshat në Komunën e Bujanocit, u përsëritën katër herë dhe vetëm në herën e pestë, më 30 qershor, votimi përfundoi pa asnjë ankesë. Epilogu në fund ishte 698 vota për listën e Kamberit nga 725 votues. Lista e Kamberit fitoi mandatin në vend të Partisë Socialiste të Serbisë, partnere shumëvjeçare e Partisë Përparimtare Serbe, e cila është në pushtet. Për shkak të këtij mandati të vetëm, votimi u përsërit disa herë.
Prioritet, zhvillimi ekonomik
Kamberi, i cili ka qenë deputet edhe në legjislaturën e kaluar parlamentare, tha se gjatë mandatit të kaluar, pozita e shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë nuk është përmirësuar dukshëm, prandaj nuk do të ndryshojë prioritetet e aktivitetit të tij në Kuvend. Sipas tij, prioritetet e shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë janë të përcaktuara në “Planin Shtatëpikësh”, dokument të cilin përfaqësuesit e shqiptarëve ia kanë dërguar Qeverisë serbe gati një dekadë më parë.
“Para së gjithash është integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike. Këto janë problemet dhe çështjet që ekzistojnë në arsim, sidomos çështja e njohjes së diplomave dhe, sigurisht, zhvillimi ekonomik i këtij rajoni”, tha Kamberi.
Ndër prioritetet tjera Kamberi përmendi zhvillimin ekonomik në jug të Serbisë. Vlerësohet se afër 60,000 shqiptarë jetojnë në Serbi kryesisht në tri komunat në jug të shtetit: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Këto tri komuna janë ndër komunat më të pazhvilluara në Serbi. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e personave të papunë, por kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, deklaroi për BIRN në maj të vitit 2021 se papunësia në komunën e saj ishte rreth 70 për qind.
“Për shkak të mungesës së vendeve të punës, nga këtu po ikin shumë të rinj, shqiptarë dhe romë, prandaj zhvillimi ekonomik i kësaj pjese do të jetë një nga prioritetet tona dhe duhet të jetë edhe prioritet i Qeverisë së re”, tha Kamberi.
Faktori korrigjues
Naim Leo Beshiri nga Instituti joqeveritar për Çështje Evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk pret ndonjë dinamikë të ndryshme në punën e Kuvendit pas marrjes së mandatit të deputetit nga “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”.
“Përfaqësuesi i shqiptarëve ka qenë në opozitë edhe në legjislaturën e kaluar dhe kështu pritet të jetë edhe në këtë legjislaturë”, tha Beshiri.
Në legjislaturën e kaluar, Shaip Kamberi ishte kryetar i Grupit Parlamentar të Luginës së Bashkuar - SDA Sanxhak. Gjatë një viti e gjysmë, sa kishte mandat ajo legjislaturë, Kamberi ishte një nga zërat e paktë kritikë në Kuvend, pasi pjesa më e madhe e opozitës bojkotoi zgjedhjet që u mbajtën në qershor të vitit 2020. Kamberi akuzoi Qeverinë e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe për autokraci dhe totalitarizëm dhe tha se në Serbi “ksenofobia po lulëzon” dhe se po bëhen kërcënime ndaj komuniteteve joshumicë. Kuvendi është vendi ku është mirë të dëgjohet zëri i komuniteteve joshumicë, tha Beshiri, por theksoi se përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin serb do të përballet me kufizime.
“Deri më tani është dëshmuar si një faktor i mirë korrigjues. Fjalimet e Kamberit në Kuvend janë vënë re disa herë, por nëse ai vepron si deputet i pavarur, sipas rregullores së Kuvendit, ai do të ketë shumë pak kohë për t’i paraqitur argumentet e tij”, tha Beshiri.
Urimet nga rajoni
Që nga 30 qershori, Kamberi dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” kanë marrë urime të shumta nga vendi dhe rajoni. Ndër personat që kanë uruar Kamberin ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe Ermina Lekaj Përlaskaj, deputete shqiptare në Kuvendin e Kroacisë.
“Në Kuvendin e Serbisë kemi të vetmin deputet shqiptar i cili do të jetë zëri i shqiptarëve. Edhe pse e dimë që aty është e vështirë të realizohen të drejtat e shqiptarëve prapëseprapë zëri i Shaipit do të jetë një dritare për BE-në, që do të tregojë se Serbia shkel të drejtat elementare të shqiptarëve”, ka shkruar ajo në Facebook.
Kamberi tha se në luftën sfilitëse për të fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë, sigurisht se nuk do të kishin sukses pa miqtë dhe zyrtarët që kanë përkrahur kandidaturën dhe nevojën e shqiptarëve për të luftuar për mandatin e deputetit.
“Sa i përket mbështetjes së zyrtarëve nga Kosova dhe Shqipëria, mendoj se është sinjal i mirë sepse fakti është se ata kërkojnë që ne të integrohemi në këtë shoqëri, gjë e cila kontribuon në stabilitetin për të cilin po përpiqet i gjithë Ballkani”, tha Kamberi.
Me kë mund të bashkëpunojë përfaqësuesi i shqiptarëve?
Partia Përparimtare Serbe (SNS), që udhëhiqet nga presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në legjislacionin e ri parlamentar do të ketë 120 deputetë dhe e vetme nuk do të mund të formojë shumicën parlamentare. Opozita e Bashkuar e Serbisë e udhëhequr nga Partia për Liri dhe Drejtësi e Dragan Gjilas ka fituar 38 ulëse në Kuvendin e ri. Partnerja e mëhershme e partisë së Vuçiçit, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) ka fituar 31 mandate.
Koalicioni i të gjelbërve të majtë, Moramo (Ne duhet) ka fituar 12 ulëse. Po ashtu janë edhe disa parti parlamentare djathtiste – Zavetnici (Të betuarit) dhe Dveri me dhjetë deputetë dhe koalicioni NADA (Shpresa) me 15 deputetë. Në mesin e listave që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në legjislaturën e re do të jenë edhe: Partia e Hungarezëve të Vojvodinës (SVM) me gjashtë deputetë, Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit me tre, dhe SDA Sanxhak dhe Së Bashku për Vojvodinën me nga dy deputetë.
Kamberi tha se është mirë që në legjislaturën e re do të ketë më shumë deputetë të opozitës, sepse është, të paktën formalisht, një pasqyrë e demokracisë dhe parlamentarizmit. Ai shtoi se shpreson se do të mund të ngrehë çështje të ndryshme që do të jenë në interes të përbashkët me deputetët e tjerë të opozitës.
“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me Partinë e Veprimit Demokratik [SDA] Sanxhak dhe do të shohim se me kë do të mund të bashkëpunojmë. Ne sigurisht që mund të bashkëpunojmë me të gjitha ato parti që duan vlera të përbashkëta, pra në radhë të parë me Bashkimin Evropian dhe me vlerat që i përfaqëson BE-ja”, tha Kamberi.
I pyetur nga REL-i se si e sheh bashkëpunimin me partitë demokratike opozitare, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, siç janë Partia për Liri dhe Drejtësi dhe Partia Popullore, Kamberi tha se bashkëpunimi me parti të tilla është i pamundur.
“Qëndrimi ynë për pavarësinë e Kosovës është i qartë. Pavarësia e Kosovës është e njohur dhe kjo nuk mund të ndryshojë. Çdo interpretim tjetër është mospranim i realitetit dhe mashtrim i votuesve. Për këtë arsye ne nuk mund të bashkëpunojmë me këto opsione politike”, tha Kamberi.
Ai theksoi se një avokim i përbashkët për integrimet evropiane, pa një qëndrim të qartë për pavarësinë e Kosovës, nuk është një argument mjaft i fortë për bashkëpunim eventual në Kuvendin e Serbisë dhe se çështja e Kosovës lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimeve evropiane.
“Për çështjen e integrimeve evropiane edhe qëndrimi ynë është i qartë. Duhet të përshpejtohet i gjithë procesi dhe integrimi evropian duhet të jetë synimi kryesor i politikës së jashtme të Qeverisë së re. Politika e uljes në shumë karrige vetëm sa ka dëmtuar procesin e integrimit në BE dhe kjo duhet të ndalet”, tha Kamberi.
Në legjislaturën e re të Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, do të jetë në një pozitë specifike, për dallim nga mandati i kaluar kur ishte i vetmi deputeti i opozitës, tani ai do të jetë i vetmi deputet në Kuvendin serb që e njeh pavarësinë e Kosovës. Mandati i tij i mëparshëm parlamentar u karakterizua me një fjalim të gjatë në seancën për zgjedhjen e Qeverisë, seancë në të cilën ai kritikoi ashpër Qeverinë e Aleksandar Vuçiqit dhe e akuzoi për shkatërrimin e demokracisë. Në legjislaturën e re, Kamberi shpreson se do të mund të iniciojë një sërë temash të rëndësishme për komunitetin shqiptar, por edhe për të gjithë qytetarët e Serbisë. Njëra ndër këto nisma ai tha se do të jetë edhe nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare me Kosovën.
Një opozitë e fragmentuar
Naim Leo Beshiri e përjashtoi mundësinë që deputeti i “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës” të bashkëpunojë me deputetët e partive të djathta, siç janë ata të Partisë së Hungarezëve të Vojvodinës.
“Partia e Hungarezëve të Vojvodinës është mjaft e afërt me partinë e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, dhe deri më tani ka qenë gjithmonë në shumicën qeverisëse ose ka mbështetur Qeverinë në Kuvend. Kështu që as me këtë parti nuk do të mund të bashkëpunojë shumë”, theksoi Beshiri.
Kur flitet për koalicione më të mëdha opozitare, sikurse Opozita e Bashkuar e Serbisë dhe Moramo, Beshiri tha se ka disa fërkime brenda këtyre blloqeve, kështu që tani nuk është lehtë të flitet për bashkëpunimin e tyre me grupe të tjera parlamentare.
“Është e qartë se opozita është shumë e fragmentuar dhe se edhe pse do të sjellë një dinamikë dukshëm më të madhe në diskutimet parlamentare, do ta kenë të vështirë të pajtohen për veprime të përbashkëta, prandaj mund të kemi një periudhë të trazuar parlamentare”, vlerësoi Beshiri.
Problemet e shumta të komunitetit shqiptar në Serbi
Përfaqësuesit e shqiptarëve në Serbi prej vitesh kanë ngritur zërin për problemet me të cilat përballet komuniteti shqiptar. Në fillim të qershorit, në Shtetet e Bashkuara nisi lobimi që në agjendën e Kombeve të Bashkuara të vendoset çështja e komunave Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – që njihen edhe me emërtimin Lugina e Preshevës – ku jeton shumica e popullsisë shqiptare.
Siç kishte shpjeguar atëbotë për REL-in kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi, propozimi i tyre është që të vendosen “standarde të unifikuara për trajtimin e pakicave kombëtare” paralelisht me normalizimin e raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Po ashtu, më 2013 përfaqësuesit e shqiptarëve nga tri komunat në jug të Serbisë, i kishin dorëzuar Qeverisë serbe “Planin Shtatëpikësh”, në të cilin ishin paraqitur problemet e komunitetit shqiptar në jug të Serbisë dhe propozimet e tyre për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Ky plan po ashtu propozon integrimin e plotë të shqiptarëve në institucionet shtetërore në përputhje me pjesëmarrjen proporcionale në popullsinë e çdo vetëqeverisjeje lokale, zhvendosjen e forcave speciale të policisë dhe krijimin e kushteve të duhura për kthimin e popullsisë së zhvendosur. Plani po ashtu propozon rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike në komunave në Luginë të Preshevës si dhe decentralizimin e sistemit të gjyqësorit. Dokumenti po ashtu vë në pah problemet për njohjen e diplomave të lëshuara në Kosovë dhe problemin e mungesës së teksteve shkollore.
Deri më tani, vetëm çështja e fundit është zgjidhur. Në fund të vitit 2021, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit të Serbisë dhe të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve arritën një marrëveshje për tekstet shkollore në gjuhën amtare për nxënësit e komunitetit shqiptar./REL