Shala: Prishtina e Beogradi dakord
për heqjen e strukturave paralele

Shala: Prishtina e Beogradi dakord<br />për heqjen e strukturave paralele
PRISHTINE- “Prishtina dhe Beogradi kanë rënë dakord që Serbia t'i largojë strukturat e saj të sigurisë nga veriu dhe të zëvëndësohet nga paqeruajtësit e NATO-s dhe misioni i EULEX-it.”. Ky rezultat i arritur në Bruksel gjatë bisedimeve mes kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçic në prani të shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton, është bërë publik nga koordinatori i Prishtinës zyrtare në dialogun politik, Blerim Shala.

“Mund të llogaritet me muaj periudha kohore e zhbërjes së strukturave serbe të sigurisë. Por, po ashtu po shpresoj që me muaj duhet të llogaritet edhe aftësia jonë, potenciali ynë organizativ, për t’i zëvendësuar këto struktura me strukturat kosovare të sigurisë. Ndërkohë, llogaritet në një përkrahje të fuqishme të EULEX-it dhe KFOR-it, sepse ekziston një vullnet parimor, i Prishtinës dhe Beogradit, që faktori ndërkombëtar të luaj një rol të rëndësishëm në tranzicionin e veriut të Kosovës”, thotë Shala.

Blerim Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk do të ketë “vakum” të sigurisë në veri të Kosovës pas largimit të forcave të sigurisë së Serbisë.

“Ne e kemi një polici të Kosovës në veri. I dimë të gjitha të metat. Por, ne mendojmë po ashtu, që mund të inkuadrojmë edhe policë serbë të pjesëve tjera të Kosovës në këtë periudhën e parë të boshllëkut, kështu që do të mbulohet vakuumi i sigurisë që mund të krijohet pas këtij momenti”- shpjegon Shala.

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se në takimin e radhës, më 4 mars në Bruksel, do të bëhen të ditura shumica e detajeve rreth periudhës kalimtare të nevojshme për masat e reja të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare kërkon që brenda këtij viti të zhvillohen zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve