E thonë dhe shumë të huaj që kalojnë në anët tona: Këtu perceptojnë një gjallëri, dëshirë për të ndërtuar, që nuk e shohin në vendet e tyre nga vijnë, por ka dhe agresivitet të pakontrolluar. Nga një anë kriza, vështirësitë ekonomike, problemet globale, për fat, nuk e kanë prekur shpirtin optimist të vendit dhe kjo është vlerë pozitive, por mbetet problem kanalizimi konstruktiv i kësaj energjie.
Partitë kanë nisur takimet, mitingjet dhe si përherë, (akoma edhe më fort këtë herë), po shpenzojnë energji të jashtëzakonshme.
Doja të shkruaja një përshtypje në të nxehtë pak ditë më parë për hapjen e fushatës në Tiranë nga kryeministri Berisha: E ekzagjeruar. Nuk di në ç’vend mund të këndohet kaq shumë e të hidhen fishekzjarre për prezantimin e kandidatëve. Tejkalim mase. Por edhe ky tejkalim në këndvështrimin tim, me siguri duket një bukuri e rrallë dhe është një moment që jep lumturi për dikë tjetër. Dhe kjo mjafton. Fishekzjarrët e Berishës, të ekzagjeruar për disa, mund të lumturojnë e të gëzojnë shpirtin e disa të tjerëve. Ashtu si edhe autobusi trendy dhe elektoral i Edi Ramës është i mirëpritur nga shumë ndjekës dhe simpatizantë të tij, por, me siguri bezdis të tjerë bashkëatdhetarë që nuk e shohin të udhës. Arben Malaj, Kastriot Islami, Koço Kokëdhima, Ben Blushi, mund të kenë 1000 defekte për disa, siç, me siguri kanë 1000 vlera për të tjerë. Ja pra kështu, me gjithë këto kontraste e këtë shpërthim energjie elektorale e të natyrës së këtyre ditëve, na takon të gjithëve të gjejmë rrugën më të drejtë për ta kthyer në një të mirë të përbashkët.
Ne shqiptarët, këtë herë, duhet të meditojmë e të zgjedhim mirë. Të vëzhgojmë me kujdes, t’i japim një përmbajtje serioze formës që kemi ndërtuar në gjithë këto vite.
Shumë janë të ngarkuar negativisht kur flasin për ata që mendojnë ndryshe dhe ndoshta janë të justifikuar, sepse deri tani kemi ngritur një shoqëri që ekzistenca ekonomike, shoqërore, madje dhe artistike, varet nga preferencat politike. A jemi në gjendje ta bëjmë të gjithë ne si shoqëri ndryshimin këtë vit? Nuk është e thjeshtë, por nuk është e pamundur. Nëse vendosim individualisht të jemi të hapur dhe gjithëpranues, të jemi më të mirë, ndryshimi individual shpejt përçohet dhe në shoqëri. Por për ta bërë këtë, një tjetër gjë është e domosdoshme: Moderimi i babëzisë dhe i sensit të masës.
Gjithnjë për shkak të sistemit që ne kemi ngritur, suksesi, pasuria, mirëqënia lidhet drejtpërdrejtë nga lidhjet me partinë në pushtet. Beznesmeni që ka lidhje me Qeverinë bëhet papritur super i pasur, individi që ka lidhje me Qeverinë bëhet papritur super i pasur dhe problemi nis këtu. Eshtë një problem shqiptar dhe nuk ka lidhje vetëm me një parti. Ndodhte në pushtetin e socialistëve, vazhdoi akoma më i theksuar në pushtetin e demokratëve. Si dilet nga kjo?
Nëse çdo individ ka si synim kryesor të jetës së tij lumturinë, kemi shumë shembuj në gjithë historinë e njerëzimit se nuk janë më të lumturit në botë ata që janë më të pasur. Eshtë e vërtetuar se nuk është nevoja, (ashtu siç të pasurit shqiptarë sot po synojnë) të kesh 7 apartamente, 5 vila, 5 makina, të hash 10 pjata në 10 restorante për të arritur lumturinë. Përkundrazi. E tepërta të shpërqendron të merrsh me veten. Ndërsa do të ishte një mrekulli nëse pasuria e bllokuar në pak individë, siç realisht është tani në Shqipëri, shpërndahet në mënyrë të harmonizuar në të gjithë vendin. Sigurisht sipas meritokracisë dhe talentit që seicili ka për të prodhuar mirëqënie dhe para’, por pa privilegjet artificiale të pushtetit të radhës. Ndodh vetëm në Shqipëri që biznesmenë shumë të pasur të kohës së socialistëve menjëherë bien në varfëri me ndërrimin politik dhe e kundërta. Pra, këta individë nuk kanë asnjë talent për të prodhuar mirëqënie, thjeshtë favorizohen nga lidhjet politike duke sjellë vetëm depresion në zhvillimin e vendit.
Nesë ne e kërkojmë, nëse vërtetë duam të arrijmë të kanalizojmë në mënyrë konstruktive dhe të dobishme për të gjithë, tërë këtë energji që është sot në Shqipëri, atëherë të gjithë ne shqiptarët duhet të vëzhgojmë me kujdes: Të shohim dhe të dëgjojmë se cilët politikanë mund ta realizojnë këtë zhbllokim.
Nuk ka njerëz perfektë, nuk ka politikanë perfektë siç asnjë nga ne nuk është i tillë, atëherë, mes politikanëve shqiptarë të zgjedhim seriozisht ata që e bëjnë Shtetin më shërbyes, më të drejtë dhe më të mirë, jo vetëm për disa, por për të gjithë.