Burri i hallës së një studenteje, ka përndjekur për një kohë të gjatë mbesën e gruas së tij dhe shoqen e saj, duke e kërcënuar se nëse nuk jepnin para, do i publikonte një video intime teksa kryenin seks në dhomat e zhveshjes pranë Fakultetit të Sporteve në Tiranë.

Personin anonim që dërgonte sms shantazhuese tek dy studentet, është identifikuar nga prokuroria e kryeqytetit si shtetasi me inicialet A.P.

Ky i fundit prej disa ditësh është dënuar nga gjykata e Tiranës me 1 muaj burg, për akuzën e “Përdorimit me keqdashje të thirjeve telefonike”, por ky dënim është reduktuar në 2 muaj qëndrin në shërbim prove.Sipas dosjes së prokurorisë së Tiranë A.P. telefononte me numër privat studentet duke pretenduar se kishte video intime të tyre dhe se do t’i publikonte.

“Jeni filmuar në dhomat e zhveshjes duke kryer marrëdhënie seksuale me pedagogët. Videon do ta publikoj në internet ”.

Përmes mesazheve të tilla 50 vjeçari është kthyer në mankth për dy studente të Universitetit të Sporteve në Tiranë. Ai dyshohet t’u ketë dërguar vajzave për muaj me radhë sms, si edhe t’i ketë telefonuar me numër privat duke i kërcënuar me publikimin e videove intime.

Sipas prokurorisë ky person i panjohur është identifikuar nga njëra prej vajzave,e cila ka njohur përtej telefonit zërin e bashkëshortit të hallës së saj.Pas kallëzimit,50 vjeçari me iniciale A.P. banor i qarkut të Beratit, përfundoi si i pandehur në Gjykatën e Tiranës.

Referuar vendimit të gjykatës, i siguruar nga “ABC News”, telefonatat me numër privat drejt studenteve kanë nisur gjatë vitit shkollor 2016-2017. 50 vjeçari ka telefonuar disa nga shoqet e mbesës së gruas, të cilave u prezantohej si babai i saj. Më tej ai ka dërguar sms tek shoqja e saj e shtëpisë.

Në disa raste vajzat e kanë telefonuar mbrapsh. Ai ka folur dhe ka shprehur dyshime se ato punonin si prostituta në Tiranë. Ndërkohë në vendimin e gjykatës thuhet se në takimet që ka pasur në qytetin e saj me të dyshuarin, i pandehuri ka mohuar të jetë ai autor i mesazheve apo telefonatave.

Thirrjet e fundit të kësaj natyre kanë qenë në muajin shkurt 2017. Në kallëzim, studentet kanë rrëfyer se me kërcënimet, ngacmimet dhe veprimet e përsëritura i pandehuri iu ka shkaktuar ankth, frikë dhe shumë pasiguri për jetën. Ndërkohë gjatë fazës së gjykimit i pandehuri ka shprehur pendesë për veprimet e kryera.

 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com