Vdekja e një 32 vjeçari nga Maqedonia në qelitë e burgut në Detroit ka pushtuar mediat amerikane ndërsa familja e tij ka paditur kontenë për neglizhencë. David Stojcevski u burgos në 11 qershor të këtij viti pasi nuk ishte paraqitur në gjykatë për të paguar një gjobë prej 772 dollarësh të marrë për drejtim të gabuar të automjetit. Stojcevski u dënua me 30 ditë burgim në burgun e kontesë Macomb, por pas 16 ditësh u gjet i vdekur, gati 25 kg më i dobët dhe krejt i zhveshur në dyshemenë e qelisë.

Qëndrimi i tij në burg është monitoruar 24 orë në ditë nga një kamera survejimi dhe pamjet që janë transmetuar nga disa media amerikane, tregojnë se si ai vuan nga konvulsionet dhe haluçinacionet në orët e fundit të jetës. Avokati i familjes ka deklaruar se zyrtarët e burgut kishin dijeni që Stojcevski ishte i varur nga droga dhe merrte mjekime por se e injoruan tërësisht gjendjen e tij shëndetësore ndërsa ndodhej në burg.

Në fakt autopsia e viktimës e publikuar nga avokati, ka arritur në përfundimin se vdekja e 32 vjeçarit ndodhi për shkak të mungesës acute të mjekimeve. Zyra e sherifit të kontesë Macomb ka refuzuar të komentojë lidhur me këtë rast, ndërsa avokati i kontesë tha për NBC se stafi ka bërë gjithçka i kërkoje nga ana ligjore. Siç raportojnë mediat amerikane, Stojcevski vdiq nga dhimbjet e tmerrshme, dhe 48 orët e fundit nuk kishte forcë as të ngrihej nga dyshemeja, ndërsa gardianët e burgut kanë parë gjithçka nga kamerat e sigurisë por nuk e kanë ndihmuar.

Kështu familja Stojcevski ka paditur kontenë dhe disa zyrtarë në zyrën e sherifit për indiferencë në trajtimin e 32 vjeçarit, me pasojë vdekjen e tij.


Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)