UASHINGTON - Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden deklaroi sot se kishte besim se Partia e tij Demokrate do të merrte kontrollin e Senatit në zgjedhjet e nesërme, pavarësisht parashikimeve se në këto zgjedhje ishin të favorizuar republikanët.
"Parashikoj se ne do ta marrim Senatin", deklaroi Biden në një intervistë dhënë CNN-it.
Kandidatët e Partisë Republikane, e qendrës së djathtë, shpresojnë se pakënaqësia e amerikanëve ndaj presidentit, Barack Obama do t'i çojë ata drejt marrjes së Senatit.
Republikanëve u duhen gjashtë vende për të kontrolluar dhomën prej 100 anëtarësh dhe për këtë ata i ndihmon harta elektorale në zgjedhjet që konsiderohen kyçe në shtetet tradicionalisht konservatore si Arkansas, Xhorxha dhe Alaska.
Një senat i kontrolluar nga republikanët do ta vështirësonte punën e Obamës për të vënë në zbatim programin e tij.
Sondazhet e publikuara dje favorizonin maxhorancë republikane në Senat.
Sidoqoftë, Biden nuk mendon se një senat i kontrolluar nga republikanët do të ndryshonte skakierën politike në Uashington.
"Ne e dimë se çfarë kemi bërë gjatë këtyre dy viteve", thotë Biden./ATSH/