Zyrtarët e lartë amerikanë dhe iranianë kanë filluar ditën e tretë të bisedimeve për programin atomik të Iranit në Montro të Zvicrës. 

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, dhe ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, sot i kanë vazhduar diskutimet e tyre, vetëm disa orë pasi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka tërhequr vërejtjen se kjo marrëveshje mund ta “hapë rrugën e Iranit për bomba atomike, e jo që ta ndalë prodhimin e saj.”
 
Shtetet e Bashkuara së bashku me Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, po synojnë arritjen e marrëveshjes me Iranin, me të cilën do të kufizohej programi atomik i Iranit në këmbim për zbutje të sanksioneve ndërkombëtare.
 
Duke reaguar ndaj fjalimit të zotit Netanyahu në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, presidenti amerikan, Barack Obama, tha se kryeministri Izraelit nuk ka ofruar alternativë të vlefshme.
 
Gjashtë fuqitë botërore dhe Irani e kanë caktuar fundin e muajit mars si afat për arritjen e marrëveshjes kornizë, ndërsa 30 qershori është afat i fundit për arritjen e marrëveshjes së plotë.
 
Redaksia Online
(A.H/Shqiptarja.com)