Në krahasim me votat pro të deklaruara nga zgjedhjet e brendshme në PD, të cilat Sali Berisha i konsideruar si një rikonfirmim i fuqishëm nga demokratët që ai të drejtojë këtë parti, numri i të pranishmëve në grumbullimet e çdo të hëne, lënë shumë për të dëshiruar.

Përkundrazi, ata sa vijnë dhe rrallohen nga java në javë, e ndërsa në rreshtin e parë qëndrojnë vetëm besnikët e partisë. Nga pamjet me dron që sjell Report Tv, dallohet qartë që mbështetja për Berishën ka marrë tatëpjetën, ku përveç një grushti militantësh, askush nuk del më në shesh duke treguar qartë që askush nuk i beson më kësaj force politike.

Edhe sot, ashtu si në herët e tjera, Berisha nuk ndali sulmet politike drejtuar kryeministrit Edi Rama. Kryetari i PD i cilëson zgjedhjet e zhvilluara në partinë e tij si më demokratiket, ndryshe nga se pretendon PS.

“Por mbi të gjitha ju ishin madhështorë sepse mbrojtët formën më sublime, më eprore të demokracisë në të gjitha kohërat, nga Greqia e lashtë gjer sot, mbrojtët demokracinë direkte, mbrojtët referendumin. Muaj të tërë, puthadorët e regjimit, shushunja që ushqehen me djersën, mundin, gjakun e njerëzve të punës së këtij vendi, me taksat e tyre, çdo natë, çdo ditë, 24 orë mbi 24 orë, bënë gjithçka të përbaltin formën më sublime, formën më përfaqësuese, demokracinë direkte. Në emër të kujt? Në emër të një bastardi, pasardhës xhelatërish. Në emër të një bastardi që ka 17 vite që në partinë e tij nuk voton njëherë”, tha ndër të tjera Berisha.

Ndër të tjera, Berisha tha se miratimi i raporti të IBAR për Shqipërinë nga Grupi i Punës në Këshillin e BE, vjen si pasojë e pozicioni gjeopolitik të vendit tonë dhe jo për shkak të progresit.

“Po, ka një faktor gjeopolitik dhe ky rajon do i përkasë BE dhe ky është një vlerësim jashtëzakonisht i drejtë historik dhe me interes shumë të madh për kombet tona. Por me përmbajtjen e tij, Edi Rama është në rreth të kuq”, tha Berisha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:46
‘Ai momenti kur vijnë krushqit’, Taulant Balla tallet me foltoren e Berishës, i publikon videon e mbërritjes me muzikë popullore (VIDEO)

 

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste Taulant Balla ka ironizuar foltoren e kryetarit të PD Sali Berisha që zhvillohet çdo të hënë përpara kryeministrisë me numër militantësh që sa vjen dhe tkurret.

Balla ka publikuar momentin kur Berisha zbret nga makina dhe u jep dorën të pranishmëve, shoqëruar me një këngë popullore dhe me mbishkrimin “Ai momenti kur vijnë krushqit”.