Të përballur me çmimet jashtëzakonisht të larta për dy vjet, amerikanët aktualisht po përjetojnë një lehtësim shumë të nevojshëm nga inflacioni që ka arritur pikën më të ulët që nga fillimi i vitit 2021 - 3% në qershor krahasuar me një vit më parë - pjesërisht falë lehtësimit të çmimeve të karburantit , tarifave për linjat ajrore, makinat e përdorura dhe artikujt ushqimor.
Shifra e inflacionit që qeveria raportoi të mërkurën ishte ulur ndjeshëm nga një normë vjetore prej 4% në maj, megjithëse ende mbi objektivin prej 2% të Rezervës Federale. Nga maji në qershor, çmimet e përgjithshme u rritën me 0.2%, nga vetëm 0.1% muajin e kaluar.
Edhe me të dhënat më të mira nga sa pritej të së mërkurës për inflacionin, mendohet se Rezerva Federale do ta rrisë përsëri normën e interesit kur të takohet pas dy javësh. Por me çmimet që po ulen për një sërë mallrash dhe shërbimesh, shumë ekonomistë thonë se Rezerva Federale mund ta frenojë atë që pritej të ishte një rritje tjetër e normës në shtator, nëse inflacioni vazhdon të ulet.
Në Wall Street, investitorët brohoritën për lajmet inkurajuese, që çuan në rritjen e çmimeve të aksioneve. Investitorët kanë pritur me padurim fundin e rritjes së normës së interest nga Rezerva Federale.
Rezerva Federale e ka rritur normën e saj bazë me 5 pikë përqindjeje që nga marsi 2022, ritmi më i lartë i rritjeve në katër dekada. Rritja e pritshme këtë muaj do të pasojë vendimin e për të ndalur rritjen e normës së interesit muajin e kaluar pas 10 rritjeve të njëpasnjëshme.
Duke përjashtuar çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë, i ashtuquajturi inflacion bazë ishte më i ulët muajin e kaluar nga sa prisnin ekonomistët, duke u rritur vetëm 0.2% nga maji në qershor, rritja më e vogël mujore në gati dy vjet. Krahasuar me një vit më parë, inflacioni bazë mbetet relativisht i lartë, në 4.8%, por në rënie nga një normë vjetore prej 5.3% në maj.
Vetëm në dy muajt e fundit, inflacioni i përgjithshëm, i matur nga viti në vit, është ngadalësuar nga gati 5% në prill në vetëm 3% tani. Pjesa më e madhe e këtij progresi pasqyron uljen e rritjeve të çmimeve të ushqimit dhe energjisë pas agresionit rus në Ukrainë pranverën e kaluar. Inflacioni tani është dukshëm nën kulmin e tij prej 9.1% në qershor 2022.
Çmimet e karburantit kanë rënë mesatarish në rreth 95 cent për litër në nivel kombëtar, nga një kulm prej 5 dollarësh vitin e kaluar. Çmimet e ushqimeve janë ulur gjatë tre muajve të fundit dhe kanë mbetur të pandryshuara nga maji në qershor. Çmimet e qumështit, në rënie për të tretin muaj radhazi, janë ulur me 1.9% nga viti i kaluar.
Aktualisht çmimi i vezëve ka rënë në 2.22 dollarë për një duzinë, të cilat shënuan një rritje çmimi rekord vitin e kaluar në rreth 4.82 dollarë pas shkatërrimin të tufave të pulave nga gripi i shpendëve. Sidoqoftë, çmimi i vezëve vazhdon të jetë i lartë krahasuar me çmimim mesatar para pandemisë prej rreth 1.60 dollarë për duzinë. Ekonomistët thonë se inflacioni nuk ka gjasa të vazhdojë të bjerë me një ritëm kaq të shpejtë.
Inflacioni madje ka gjasa të rritet gjatë muajve në vazhdim, ndërsa ka rënie prej rreth 27% të çmimit të karburantit krahasuar me një vit më parë.
Në veçanti, biletat e avionit ranë me 8.1% vetëm nga maji në qershor, kostot e hoteleve 2% dhe çmimet e makinave me qira 1.4% - rënie të mprehta që nuk ka të ngjarë të përsëriten. Por kosotoja e disa shërbimeve vazhdon të rritet dhe ka të ngjarë të jetë e lartë këtë vit, çka mund të mbajë të larta çmimet bazë.
Kostot e sigurimit të automjeteve, për shembull, janë rritur me 16.9% krahasuar me një vit më parë. Amerikanët po i përdorin makinat më shumë se gjatë pandemisë dhe po shkaktojnë më shumë aksidente. Por edhe rritja e çmimit të makinave pas pandemisë ka ndikuar tek rritja e kostos së sigurimeve.
Çmimet në restorante janë ende në rritje, pasi janë rritur 0.4% nga maji në qershor dhe gati 8% krahasuar me një vit më parë.
Pronarëve të restoranteve u është dashur të vazhdojnë të rrisin pagat e punonjësve, dhe shumë prej tyre po ua kalojnë kostot më të larta të punës klientëve të tyre duke i rritur çmimet.
Shefi i Rezervës Federale, Jerome Powell dhe zyrtarë të tjerë e kanë përqendruar vëmendjen, veçanërisht tek iflacioni i lartë në sektorin e restoranteve, sigurimet e makinave dhe më gjerë në sektorin e sherbimeve.
Rritja e çmimeve filloi dy vite më parë ndërsa konsumatorët rritën shpenzimet pas tre raundesh ndihmash ekonomike. Rritja e kërkesës së konsumit rëndoi zinxhirët e furnizimit duke shkaktuar inflacion. Shumë ekonomisët kanë sugjeruar se paketa stimuluese e Presidentit Biden në mars të vitit 2021 intensifikoi rritjen e inflacionit. Megjithatë, në të njëtën kohë inflacioni u rrit edhe në vende të tjera të botës, madje edhe në shtetet ku paketat stimuluese kanë qënë tejet të vogla./VOA