SHBA kritika të forta për
zgjedhjet dhe 21 Janarin

SHBA kritika të forta për <br />zgjedhjet dhe 21 Janarin
TIRANE- Në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011, qytetarëve shqiptarë iu mohua e drejta për të zgjedhur lirshëm qeveritarët e tyre. Pohimi vjen nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin mbi të drejtat e njeriut për vitit e kaluar, i cili u publikua ditën e sotme.

Zgjedhjet e kaluara, sipas DASH, u dalluan për kompetivitet dhe transparencë, “por pavarësisht nga kjo” ishin “tepër të polarizuara, për shkak të mosbesimit mes partive politike në qeveri dhe në opozitë”. Në këto zgjedhje, forcat e rendit u urdhëruan nga autoritete civile, thotë raporti.

“Korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes mbeti një problem serioz. Një klimë politike tepër e polarizuar, e karakterizuar nga raste vjedhjesh dhe raste të diskutueshme numërimi votash, minuan të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar lirshëm qeverinë e tyre”, pohon raporti i DASH.

“Dhuna policore dhe keqtrajtime të tjera ndaj të dyshuarve gjatë burgosjes dhe marrjes në pyetje [nga policia], ndonjëherë për të nxjerrë rrëfime, ishin gjithashtu probleme domethënëse” përsa i përket të drejtave të njeriut.

Mes problemeve të tjera të evidentuara nga amerikanët ka edhe raste “keqtrajtimesh fizike në qendrat e burgosjes nga policia, raste dhune shtëpiake dhe diskriminimi kundër grave dhe fëmijëve, raste diskriminimi mbi baza etnike dhe orientimi seksual e identiteti gjinor”.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, “qeveria jo gjithmonë mori masa për të ndëshkuar zyrtarët që kryen abuzime. Shumë pushtetarë gëzuan imunitet nga ndjekja [ligjore] dhe ata me interesa të fuqishëm biznesi shpesh ishin të aftë të shmangnin ndëshkimin. Disa zyrtarë të nivelit të ulët u ndëshkuan për abuzimet, por pandëshkueshmëria policore për dhunën fizike vazhdoi”.

21 JANARI DHE MEDIA
Raporti flet edhe për ngjarjen e 21 Janarit, kur “Garda e Republikës qëlloi mbi protestuesit gjatë një demonstrate të dhunshme të opozitës te Kryeministria”. “Katër protestues u vranë gjatë demonstratës – thotë raporti – Prokurori i përgjithshëm hapi një hetim mbi vrasjet. Hetimi eci ngadalë. Nga fundi i vitit, asnjë efektiv i Gardës apo zyrtar i qeverisë nuk ishte akuzuar për rolin e tij” në këto vrasje.

Atë ditë “policia rrahu gazetarin Ened Janina, redaktor i politikës në të përditshmen Shekulli, ndërsa mbulonte demonstratat politike në Tiranë. Sipas Janinës, një prokuror nisi hetimet dhe mori dëshminë e tij pak pas protestës, por ai nuk u thirr kurrë më për të dëshmuar. Të njëjtën ditë, gazetari Fatos Mahmutaj u godit nga një plumb që vrau një burrë i cili po qëndronte pranë vendndodhjes së gazetarëve”.

Gjithashtu, “gazetari Artan Hoxha publikoi pamje filmike të protestës së 21 janarit që tregojnë se si një nga protestuesit vdiq. Hoxha deklaroi se pas katër ditësh nga transmetimi, persona të panjohur i dorëzuan djalit të tij 10-vjeçar në shtëpi një zarf me tre plumba”.

“Nuk pati asnjë njoftim për ndonjë aksion konkret të qeverisë për të mbrojtur median apo për të siguruar se personat që sulmuan gazetarët do të ndëshkoheshin”, thotë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit.

(im/jd/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet 2025, Rama kërkon votën e shqiptarëve në Londër: Të përzëmë djallin, çlirojmë opozitën nga pengmarrja për hallet e udhëheqëve

Zgjedhjet 2025, Rama kërkon votën e shqiptarëve në Londër: Të përzëmë djallin, çlirojmë opozitën nga pengmarrja për hallet e udhëheqëve