UASHINGTON, 9 prill /ATSH-AFP/ - Greqia i ka paguar FMN-së shumën që i detyrohet për muajin prill në kuadër të planit të saj mbështetës, konfirmoi sot drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde.
"Kemi marrë paratë tona", deklaroi Lagarde, pas një fjalimi të mbajtur në Uashington.
Athina kishte theksuar më herët se i kishte dhënë Bankës së Greqisë një urdhër për transferimin e 459 milionë eurove FMN-së.
Lagarde kishte theksuar të dielën se Greqia ishte angazhuar për kryerjen e kësaj pagese në përfundim të një takimi në Uashington me ministrin grek të Financave Janis Varufaqis.
Vendi është aktualisht në negociata të vështira me partnerët e saj të Bashkimit Evropian për vendosjen e programit të drejtuar nga BE-ja, Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe FMN-ja./
/ec/










