Policia amerikane vihet sërish në qendër të akuzave pas publikimit të një video që tregon vrasjen e një njeriu me ngjyrë në karrige me rrota. E gjithë skena është filmuar me celular dhe videoja që po bën xhiron e botës, është prova e vetme e hetuesve amerikanë.
 
Ngjarja ka ndodhur në Wilmington të shtetit Delaware ku një polic shihet ndërsa i bërtet një burri të ulur në karrige me rrota duke i kërkuar të ulë pistoletën. Më pas dëgjohet një e shtënë. Një tjetër polic dhe kolegu i tij afrohen. Burri me ngjyrë lëviz, prek xhinset dhe bën disa lëvizje që duket sikur kërkon të ngrihet, ndërsa dëgjohen zëra që thonë: “Është plagosur, po i del gjak”.
 
shba policia

Vetëm pak çaste më vonë dëgjohet një breshëri plumbash. Sipas autoriteteve bëhet fjalë për Jeremy McDole, 28 vjeç i cili u qëllua nga forcat e policisë pasi refuzoi të lëshonte armën.
 
Filmimi amator, ku nuk dallohet asnjë pistoletë pranë McDole, është aktualisht në duart e hetuesve që po ekzaminojnë vërtetësinë e videos.
 
Policia pretendon se të mërkurën e 24 shtatorit, pra ditën kur ndodhi ngjarja, një pistoletë kalibër 38 është gjetur pranë karriges me rrota të viktimës.
 
Por familja e McDole, i paralizuar nga mesi e poshtë prej 10 vitesh pasi ishte qëlluar në mënyrë aksidentale, nuk bie aspak dakord me këtë version.
 
“Ishte një ekzekutim i mirëfilltë”-ka deklaruar xhaxhai i McDole, Eugene Smith i cili konfirmon se ka qenë me nipin e tij deri 15 minuta para ngjarjes dhe nuk ka parë asnjë pistoletë.
 
Ndërkaq nëna e 28-vjeçarit i ka kërkuar përgjigje policisë duke thënë se videoja tregon qartë që McDole nuk e ka nxjerrë armën. Shefi i policisë së Wilmington dhe kryetari i bashkisë kanë garantuar se do të ketë një hetim të thellë dhe transparent.
 
 Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)