Shtetet e Bashkuara kanë premtuar të ulin emetimet e karbonit më shpejt, duke u bërë thirrje edhe ndotësve më të mëdhenj për të vënë nën kontroll veprimet e tyre.
Presidenti i SHBA Joe Biden premtoi të Enjten se vendi do të përgjysmojë emetimet e gazeve serë të vendit deri në vitin 2030, duke bërë presion ndaj shteteve të tjera për t'i sjellë emetimet e tyre në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.
Këtë zotim Biden e shpalli në samitin virtual të 40 udhëheqësve globalë, i cili po mbahen në nder të Ditës së Tokës.
“Kjo është një dekadë vendimtare. Hapat që ndërmarrin vendet tona tani dhe më vonë në samitin në Glasgow do të përcaktojnë suksesin për botën. Kostoja e mosveprimit vazhdon të rritet. Shtetet e Bashkuara nuk do të presin më. Ne do të ndërmarrim masa."
Presidenti Biden u shpreh i bindur se luftimi i ndryshimit të klimës do të jetë një mundësi e re për krijimin e vendeve të punës, një premtim politik i administratës së tij.
Takimi dy-ditor shihet si një përgatitje e rëndësishme përpara konferencës së ardhshme të krizës klimatike që e organizojnë Kombet e Bashkuara, dhe e cila do të mbahet në Glasgou në muajin nëntor.
Amerikanët shpresojnë që plani i tyre ambicioz i ri do të inkurajojë Kinën, Indinë dhe të shpallin planet e tyre para takimit vendimtar në Glasgow.
Zotimi i Bidenit paraqet një përditësim të vendosur nga ish-presidenti, Barack Obama i cili në kuadër të Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015 kishte parashikuar për një ulje prej 26 për qind në 28 për qind deri më 2025.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump e kishte tërhequr vendin nga Marrëveshja e Parisit, por Biden me të marrë detyrën më 20 janar e shfuqizoi vendimin e tij.
Në gjashtë muajt e fundit, rreth 10.3 milionë njerëz u zhvendosën për shkak të thatësirave dhe përmbytjeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, shumica e tyre në Azi, tha më 13 mars, Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq (IFRC) dhe Gjysmëhënës së Kuqe.