Donald Trump ka shkarkuar Pam Bondi, Prokuroren e Përgjithshme të administratës së tij. Lajmi është bërë i ditur nga mediat amerikane.

E konsideruar si një nga figurat më besnike të botës MAGA dhe e afërt me presidentin, Pam Bondi kishte përfunduar në qendër të kritikave për çështjen Epstein, veçanërisht për mungesën e transparencës në publikimin e dokumenteve. Edhe vetë presidenti raportohet se ishte shprehur i pakënaqur me mënyrën se si ajo kishte menaxhuar këtë çështje.

Trump thuhet se ishte i irrituar edhe për punën e Bondit në lidhje me përpjekjet për të ndjekur penalisht gjyqtarë dhe zyrtarë që kishin hetuar ndaj tij. Departamenti i Drejtësisë kishte arritur të sigurojë ngritjen e akuzave ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, dhe Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, por të dyja çështjet u rrëzuan pasi një gjyqtar vendosi se prokurori kishte vepruar në mënyrë të paligjshme.

Bondi u takua me Trump mbrëmjen e djeshme në Shtëpinë e Bardhë, përpara fjalimit të presidentit për luftën në Iran, dhe gjatë këtij takimi në Zyrën Ovale u informua për shkarkimin e saj. Më pas ajo u largua nga Uashingtoni drejt Floridës, edhe para mbajtjes së fjalimit presidencial.

Trump e konfirmoi menjëherë vendimin në rrjetin e tij social Truth, duke e komentuar kështu: “Pam Bondi është një patriote e madhe amerikane dhe një mike besnike, e cila ka shërbyer me përkushtim si Prokurore e Përgjithshme gjatë vitit të fundit. Ajo ka bërë një punë të jashtëzakonshme në mbikëqyrjen e një operacioni masiv kundër krimit në të gjithë vendin, ku vrasjet kanë rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1900. Ne e vlerësojmë shumë Pam dhe së shpejti ajo do të marrë një rol të ri, po aq të rëndësishëm dhe të nevojshëm, në sektorin privat, që do të njoftohet në vijim”.

Ai konfirmoi gjithashtu zëvendësuesin: “Zëvendësprokurori ynë i përgjithshëm, një jurist me talent dhe reputacion të madh, Todd Blanche, do të marrë detyrën si Prokuror i Përgjithshëm në detyrë.” Blanche është ish-avokati personal i Trump.

Shkarkimi i Bondi është i dyti i profilit të lartë nga Trump; më herët ai kishte larguar edhe sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem.