SHBA: Qeveria Berisha e dinte
se shqiptarët luftonin në Siri

SHBA: Qeveria Berisha e dinte<br />se shqiptarët luftonin në Siri
TIRANE - Shqipëria e dinte që në vitin 2012 që një grup i vogël shqiptarësh kishte shkuar për të lufuar në Siri. Konfirmimi ka ardhur nga ana e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për terrorizmin.
 
“Institucionet e qeverisë shqiptare kanë qenë në dijeni prej vitit 2012 që një grup i vogël shqiptarësh kanë udhëtuar për të luftuar në Siri”, thuhet shprehimisht në raportin e DASH. Sipas SHBA-së, ndryshimi i qeverive pas 23 qershorit nuk ka ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve në luftën ndaj  terrorizmit. 

Për kohen që flet raporti, në mazhorancë dhe në qeveri ishte PD-ja dhe kryeministër, ishte Sali Berisha.
 
RAPORTI I DASH PËR TERRORIZMIN
 
Vështrim i Përgjithshëm: 
Shqipëria zhvilloi zgjedhje kombëtare në vitin 2013, ku qeveria ndryshoi nga një koalicion i drejtuar nga Partia Demokratike e qendrës së djathtë në një të udhëhequr nga Partia Socialiste e qendrës së majtë. Ndryshimi në qeveri nuk ndikoi në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë kundër terrorizmit, ku administrate e re vazhdoi marrëdhënien e fortë të bashkëpunimit të vendit me SHBA.
 
Legjislacioni, Zbatimi i Ligjit dhe Siguria e Kufijve:
Qeveria shqiptare i ka dhënë përparësi përpjekjeve të saj kundër narkotikëve dhe i drejton burimet e kufizuara të zbatimit të ligjit dhe sigurisë së kufijve kundër këtij objektivi, më shumë se sa kundër terrorizmit, të cilin e ka parë si kërcënim më pak urgjent.
 
Legjislacioni shqiptar i konsideron kundravajtje penale aktet terroriste; rekrutimin dhe trajnimin e personave për të kryer akte terroriste; nxitjen e akteve terroriste; dhe ngritjen, drejtimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë terroriste. Policia e Shtetit e Shqipërisë ka ngritur një sektor kundër terrorizmit brenda Drejtorisë për Krimet e Rënda të Departamentit për Hetimet Penale.
 
Në përgjithësi, ndonëse Shqipëria ka vullnetin politik për të bashkëpunuar me vendet në rajon për nismat anti-terrorizëm, asaj i mungoi kapaciteti për të vënë në zbatim kontrolle të efektshme. Korrupsioni, bashkë me një sistem gjyqësor që funksionon keq, vazhdoi të pengonte përpjekjet e Shqipërisë për zbatimin e ligjit. Shqipëria nuk ka kapacitetin të grumbullojë të dhëna biometrike përveç atyre që gjenden në kartat e identitetit biometrike që paraqiten në pikat e kalimit të kufirit.
 
Të dhënat e gjurmëve të gishtave nga migrantët klandestinë grumbullohen, por jo të gjitha pikat e kalimit të kufirit janë të pajisura me skanera me lidhje të drejtpërdrejtë, çka çon në vonesa në përfshirjen e gjurmëve të gishtave në baza të dhënash elektronike apo identifikimin e individëve mbi bazën e të dhënave nga gjurmët e gishtave.
 
Ministria e Brendshme mbante një listë vrojtimi mbi bazë emrash, ku përfshiheshin persona të kërkuar me nënshtetësi shqiptare si dhe informacion për dokumente udhëtimi të humbura dhe të vjedhura. Baza e të dhënave është përbërëse e Sistemit të Menaxhimit Total të Informacionit (TIMS) të Departamentit të Drejtësisë të SHBA dhe është po ashtu i lidhur me bazat e të dhënave të Interpolit.
 
Përpjekjet Kundër Financimit të Terrorizmit: 
Shqipëria është anëtare e Komitetit të Ekspertëve të Këshillit të Europës për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (Moneyval), një organi rajonal i tipit Task-Forcë e Veprimit Financiar (FATF); dhe Njësia Shqiptare e Inteligjencës Financiare është anëtare e Grupit Egmont.
 
 Prej qershorit 2012, Shqipëria ka marrë angazhime të nivelit të lartë politik për të bashkëpunuar me FATF dhe Moneyval për të trajtuar mangësitë e saj strategjike kundër pastrimit të parave/kundërvënien ndaj financimit të terrorizmit. Është bërë përparim por mbetet punë për t’u bërë për të përforcuar kuadrin për bashkëpunim ndërkombëtar lidhur me financimin për terrorizmin dhe për të siguruar dhe vënë në zbatim një kuadër ligjor të përshtatshëm për identifikimin, gjurmimin, dhe ngrirjen e aseteve nga terrorizmi.
 
Shqipëria miratoi një ligj të ri për masat kundër financimit të terrorizmit për t’u përafruar me rekomandimet e FATF dhe Moneyval; shqyrtimi përfundimtar i këtij ligji nga FATF dhe Moneyval do të bëhet në vitin 2014. Shqipëria ka miratuar masa kundër individëve dhe organizatave të listuara nga Rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
 
Mbi bazën e legjislacionit shqiptar (Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit), organizatat jofitimprurëse shqiptare nuk janë të detyruara raporte për transaksione të dyshimta.
 
Megjithatë, organizatat jofitimprurëse mund të konsiderohen “kliente” të personave subjekt i ligjit, dhe për pasojë mund t’i nënshtrohen kontrolleve të zgjeruara nëse një bankë apo institucion financiar i asociuar e konsideron organizatën një “klient me risk të lartë” potencial që do të kërkonte të tillë monitorim.
 
Bashkëpunimi Rajonal dhe Ndërkombëtar: 
Pjesëmarrja e Shqipërisë në organizata shumëpalëshe dhe rajonale kundër terrorizmit përfshin OKB, OSBE, NATO, dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.
 
Kundërvënia ndaj Radikalizimit që çon drejt Dhunës dhe Ekstremizmit të Dhunshëm:  Qeveria e Shqipërisë iu kundërvu përdorimit të ligjërimit ekstremist të dhunshëm që tentonte të shfrytëzonte besimet fetare, si dhe angazhoi në mënyrë aktive Komunitetin Islamik Shqiptar, organi zyrtar administrative i komunitetit musliman shqiptar sunit.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër