Shtetet e Bashkuara akuzojnë drejtpërdrejt Rusinë si përgjegjësen kryesore për situatën në lindje të Ukrainës, duke shtuar se kanë prova që Rusia ka qëlluar me artileri të rëndë përtej kufirit. Kjo ka qenë edhe tema e bisedimit që ka bërë presidenti amerikan Barack Obama me kryeministrin hollandez Mark Rutte. 

Ata ranë dakord që Rusia të mos lejohet të destabilizojë më tej situatën në Ukrainë duke u shprehur se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë sanksione shtesë kundër Moskës. “Rusia nuk i ka plotësuar ende kushtet e parashikuara nga SHBA-ja dhe BE-ja. Në vend që të kontribuojë në ç’tensionimin e situatës, të dhënat tregojnë se Moska është ende duke armatosur separatistët që vazhdojnë me dhunë vdekjeprurëse kundër forcave të armatosura të Ukrainës”, mësohet të kenë thënë Obama dhe Rutte. 

Zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë dalë në përfundimin se Rusia ka sulmuar me artileri të rëndë ushtrinë ukrainase dhe se qëllimi i vetëm i Moskës është të sigurojë më shumë armatim të rëndë për separatistët pro-rusë të stacionuar në lindje të Ukrainës. Ndërkaq ambasadorët e 28 vendeve të BE morën sot vendimin për të ngrirë pasuritë e 15 individëve dhe 18 kompanive ruse apo pro-ruse që mendohet të jenë përfshirë në luftën ukrainase. Sipas mediave europiane, masat e propozuara pritet të ndalojë aksesin në bursa dhe në tregjet financiare europiane të bankave ruse të kontrolluara nga shteti.
 
Redaksia Online