UASHINGTON - Të paktën katër persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një avioni të vogël turistik si pasojë e përplasjes me një ndërtesë në një aeroport të Kansasit, në qendër të SHBA-së, njoftuan autoritetet.
"Avioni tip "Beechcraft" ka humbur fuqinë pak momente pas ngritjes dhe është përplasur me një ndërtesë ndërkohë që po përpiqej të rikthehej në pistën e aeroportit Wichita Mid-Continent", theksoi agjencia federale e aviacionit (FAA).
"Katër persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë dërguar në spital me plagë të rënda. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e katër personave të tjerë brenda ndërtesës", theksuan zyrtarët lokalë në një komunikatë.
"Rreth 100 persona ndodheshin brenda ndërtesës në momentin e goditjes nga avioni, që shkaktoi një zjarr të madh", theksoi policia.
Zjarrëfikësit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të neutralizuar flakët./ATSH/