Departamenti i Drejtësisë në SHBA, ka bllokuar 4 domain-e që i përkasin grupeve të hakerave iranianë, të përdorura për të sulmuar infrastrukturat e shteteve armike me Iranin, shpërndarjen e të dhënave të vjedhura dhe nxitje të dhunës ndaj kundërshtarëve të regjimit iranian.
Domain-et e konfiskuara janë Justicehomeland[.]org, Handala-Hack[.]to, Karmabelow80[.]org dhe Handala-Redwanted[.]to - të lidhura me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS).
“Shpërndarja e ideologjisë terroriste në hapësirën kibernetike është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë tonë kombëtare. Zyra e Prokurorit të SHBA-së është e përkushtuar të bashkëpunojë me partnerët tanë të zbatimit të ligjit për të identifikuar kërcënimet, për t’i çaktivizuar dhe për t’i ndëshkuar autorët e tyre”, tha Kelly O. Hayes, prokurore e SHBA-së për Distriktin e Merillendit.
Mes këtyre faqeve është dhe ajo e Homeland Justice dhe Karma Below, një grup hakerash që ka kryer disa sulme kibernetike drejt infrastrukturës shtetërore shqiptare. I fundit sulm ishte ai drejt sistemit të brendshëm të Kuvendit të Shqipërisë nga Homeland justice.
“Më 15 korrik 2022 dhe 9 shtator 2022 ose rreth këtyre datave, aktorët e MOIS-it përdorën domenin Justice Homeland[.]org për të marrë përgjegjësinë për vjedhjen e dokumenteve të ndjeshme nga organizatat qeveritare shqiptare”, thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Sulmet kibernetike drejt Shqipërisë lidhen drejtpërdrejt me vendimin e Shqipërisë për të strehuar muxhahedinët, opozitën iraniane, në kampin e Manzës. Më parë, këto grupe kanë publikuar të dhëna personale të shqiptarëve, të dhëna bankare, apo numrat e celularëve. Ndërkohë, më 17 mars, Shqipëria e shpalli Iranin, shtet financues të terrorizmit.
Në kuadër të përpjekjeve për të luftuar sulmet kibernetike, Departamenti amerikan i Shtetit shpalli edhe një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që çojnë në identifikimin e personave të përfshirë në sulme ndaj infrastrukturës kritike amerikane.
Ky operacion i ndërmarrë nga Departamenti Amerikan i Shtetit vjen në një moment ku konflikti në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar si pasojë e përfshirjes së SHBA-së krah Izraelit në luftën kundër Iranit. Qëllimi ishte të shkatërronin programet balistike dhe ushtarake iraniane, të parandalonin zhvillimin e armëve bërthamore dhe të dobësonin kapacitetet mbrojtëse të regjimit të Teheranit.
Vjeshtën e vitit 2022 Shqipëria vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe të dëbojë diplomatët iranianë në Tiranë, pasi vërtetoi se regjimi i Teheranit fshihej pas sulmit kibernetik ndaj shërbimeve dhe sistemeve shtetërore shqiptare.

Bllokimi i faqes Homeland Justice
![]()
Shtetet e Bashkuara ndërmorën një operacion të rëndësishëm kundër infrastrukturës kibernetike të lidhur me Iranin, duke sekuestruar katër faqe interneti të përdorura për sulme - mes tyre dhe ajo e Homeland Justice, grup hakerash që kanë kryer disa sulme kibernetike drejt infrastrukturës shtetërore shqiptare.
Duke evidentuar faktin që vendi ynë ka qenë herë pas here objekt i mijëra tentativave për sulme nga këto hakera, shumica prej të cilave janë parandaluar, autoriteti thotë se edhe shpallja e Iranit shtet sponsor të terrorizmit ishte përgjigje e sulmeve kibernetike dhe veprimeve armiqësore të ndërmarra kundër vendit tonë.
Njoftimi i plotë:
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike vlerëson vendimin e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sekuestrimin e domeneve të përdorura nga aktorë shtetërorë iranianë për kryerjen e sulmeve kibernetike dhe shpërndarjen e të dhënave sensitive që lidhen me infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
Ky veprim është një hap i rëndësishëm në goditjen e këtyre aktiviteteve dhe konfirmon angazhimin e përbashkët për t’u përballur me sulmet kibernetike të sponsorizuara. Platforma “Homeland Justice” është përdorur si një nga mjetet për realizimin e këtyre sulmeve, përfshirë edhe ato ndaj sistemeve digjitale në Shqipëri, me synim destabilizimin e sistemeve dhe cënimin e sigurisë kombëtare. Nga viti 2022 deri në vitin 2026, janë regjistruar 9 sulme kibernetike të lidhura me këta aktorë, ndërkohë që janë parandaluar me sukses nga AKSK mijëra tentativa të tjera për sulme ndaj sistemeve në vend.
Republika e Shqipërisë ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe të vendosur ndaj këtyre aktiviteteve, duke e shpallur Iranin si shtet sponsor të terrorizmit, në përgjigje të sulmeve kibernetike dhe veprimeve armiqësore të ndërmarra kundër vendit tonë.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rolin e tyre në rritjen e kapaciteteve për të përballuar kërcënimet kibernetike që prekin vendin tonë. Partneriteti strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbetet thelbësor për forcimin e sigurisë dhe përballimin e këtyre kërcënimeve në mënyrë të koordinuar.
AKSK mbetet i angazhuar për të forcuar më tej kapacitetet mbrojtëse dhe për të garantuar një mjedis digjital të sigurt për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Shqipërisë.
Komente










Dolen sheshit ne telegram targat, nr telefonike, pagat dhe sigurimet, certifikatat, hyrjet e daljet ne kufi, emailat e parlamentit or teeeejjjjj
Përgjigju