Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në shkurt të vitit 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përfaqëson një hap pozitiv drejt normalizimit mes dy vendeve, të cilat “duhet të synojnë përparim të shpejtë në zbatimin e Aneksit të kësaj marrëveshjeje”.

Kështu thuhet në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare që u miratua nga dy dhomat e Kongresit amerikan dhe u nënshkrua në ligj nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 18 dhjetor.

“Pasi të arrihet përparim i mjaftueshëm, SHBA-ja duhet të shqyrtojë iniciativa për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të dyja vendet”, thuhet në tekst, duke shtuar se kjo përfshin dialogun strategjik dypalësh dhe nisma konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimeve.

Sipas aktit, SHBA-ja duhet të vazhdojë mbështetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve, dhe duhet t'i mbështesë demokracitë pluraliste në rajon si një mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë edhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Akti Kombëtar për Mbrojtje për vitin fiskal 2026 autorizon shpenzim vjetor rekord për ushtrinë amerikane që arrin vlerën e 901 miliardë dollarëve, 8 miliardë më shumë seç kishte kërkuar Trumpi.

Akti përfshin gjithçka, nga numri i anijeve, avionëve dhe sistemeve raketore që do të blihen, e deri te rritja e pagave për ushtarët dhe mënyra se si do të adresohen kërcënimet gjeopolitike.

Teksti i këtij dokumenti përmend një sërë çështjesh, përfshirë edhe varësinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga energjia ruse. Aty thuhet se kjo varësi lidh ekonomitë dhe politikën e tyre me Moskën dhe pengon aspiratat e tyre për integrim evropian, ndërsa korrupsioni, përfshirë edhe në nivelet e udhëheqësve kryesorë politikë, vazhdon të përbëjë një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik të rajonit.

Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare thuhet se ulja e varësisë së Ballkanit Perëndimor nga gazi dhe karburantet fosile ruse është në interes kombëtar të SHBA-së, dhe se Uashingtoni duhet të mbështesë anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Varësia e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga burimet fosile ruse dhe gazi natyror lidh ekonomitë dhe politikën e tyre me Federatën Ruse dhe pengon aspiratat e tyre për integrim evropian”, thuhet në këtë dokument.

Rritja e ndikimit të Kinës në Ballkanin Perëndimor gjithashtu mund të ketë ndikim të dëmshëm në konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Evropën, thuhet në dokument, ku kërkohet që sekretari i Shtetit, në koordinim me atë të Mbrojtjes, drejtorin e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës dhe agjencitë e tjera përkatëse, t'i raportojë rregullisht Kongresit për ndikimin dashakeq të Rusisë dhe Kinës në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shqetësim i thellë” për gjendjen e demokracisë në Serbi

Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare është shprehur shqetësim edhe për gjendjen e demokracisë në Serbi.

“Zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor 2023 dhe pasojat e tyre të menjëhershme ngjallin shqetësim të thellë lidhur me gjendjen e demokracisë në Serbi, duke përfshirë përfundimet e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it”, thuhet në tekstin e dokumentit.

Aty shtohet se Zyra e OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut ka vlerësuar se në ato zgjedhje kishte “kushtet jo të drejta” për votim, “shumë mangësi procedurale, përfshirë zbatimin jo të barabartë të masave mbrojtëse gjatë votimit dhe numërimit, mbingarkimin e qendrave të votimit, shkelje të fshehtësisë së votës dhe raste të shumta të votimit në grup”.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë gjithashtu ka theksuar se zyrtarët serbë kanë akuzuar kryesisht protestuesit paqësorë, partitë opozitare dhe shoqërinë civile për “përpjekje për të destabilizuar Qeverinë”, një pretendim shqetësues që rrezikon sigurinë e pjesëve të rëndësishme të shoqërisë serbe, thuhet në tekstin e Kongresit, ku vlerësohet se vendet demokratike, të cilat ndajnë vlerat e SHBA-së, përfaqësojnë partneritete më të forta dhe afatgjata.

Mbështetje për EUFOR-in në Bosnjë dhe Hercegovinë

Ndër qëndrimet e Kongresit, sipas aktit, është se duhet të mbështetet ruajtja e mandatit të plotë të EUFOR-it në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke e konsideruar këtë në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Gjithashtu kërkohet që NATO-ja dhe BE-ja të rishikojnë mandatin dhe vendosjen e misioneve në Bosnjë dhe Hercegovinë për t’u siguruar që të luajnë një rol proaktiv në krijimin e një mjedisi të sigurt, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.

Mbështetje për integrimet euroatlantike

Vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – përbëjnë një rajon pluralist dhe multietnik në zemër të Evropës, i cili është thelbësor për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit, thuhet në fillim të seksionit kushtuar rajonit, për të cilin u tha se mund të quhet “Ligji për demokracinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”.

Paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor lidhen drejtpërdrejt me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik të këtyre gjashtë vendeve, dhe është në interes të përbashkët të SHBA-së dhe vendeve të rajonit të përmirësojnë rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në rajon.

Reformat drejt Bashkimit Evropian, të kryera nga vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë sjellë përparim të konsiderueshëm demokratik dhe ekonomik në rajon, por pavarësisht këtij përmirësimi, nivelet e varfërisë dhe papunësisë në Ballkanin Perëndimor mbeten më të larta se në vendet fqinje të BE-së.

Gjithashtu theksohet se “korrupsioni, përfshirë edhe tek udhëheqësit kryesorë politikë, vazhdon të prekë Ballkanin Perëndimor dhe përbën një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik të rajonit”, ndërsa “fushatat e dezinformimit të drejtuara ndaj Ballkanit Perëndimor minojnë besueshmërinë e institucioneve demokratike, përfshirë integritetin e zgjedhjeve”.

Për këtë arsye, Kongresi ka theksuar se SHBA-ja duhet, ndër të tjera, të bashkëpunojë me aleatët dhe partnerët e përkushtuar për forcimin e sundimit të ligjit, diversifikimin e burimeve energjetike, reformat demokratike dhe ekonomike dhe reduktimin e varfërisë; të nxisë forcimin e lidhjeve tregtare dhe investimeve midis SHBA-së dhe aleatëve/partnerëve në Ballkanin Perëndimor dhe të zgjasë ndihmën amerikane për përpjekjet e integrimit rajonal në rajon.

SHBA-ja duhet të mbështesë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e BE-së dhe NATO-s, dhe që duan të anëtarësohen, të përmbushin kriteret për anëtarësim, kanë mbështetjen e të gjithë aleatëve për të marrë ftesën për anëtarësim dhe që janë në gjendje të promovojnë më tej parimet e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme në sigurinë kolektive të NATO-s.

SHBA duhet të rrisë lidhjet tregtare dhe investimet në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për të zvogëluar varësinë nga burimet energjetike ruse, për të rritur diversifikimin e energjisë, efikasitetin dhe kursimin, si dhe për të lehtësuar kalimin te burimet e energjisë së pastër.

Aty shtohet se duhet të vazhdojë mbështetja e zhvillimit të shoqërisë civile të fortë, partneriteteve publike-private, medias së pavarur, qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, stabilitetit politik dhe ekonomive moderne të tregut.

Në aktin për mbrojtjen, sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i kërkohet të nxisë iniciativa për zhvillim demokratik dhe ekonomik dhe prosperitet, përfshirë zgjatjen e ndihmës teknike në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, duke marrë parasysh kushtet lokale dhe miratimin e qeverisë vendase; të forcojë strategjitë kombëtare ekzistuese kundër korrupsionit, përfshirë korrupsionin politik, veçanërisht në gjyqësor, organet e pavarura të mbikëqyrjes së zgjedhjeve dhe prokurimet publike; dhe të promovojë rolin e medias së pavarur në luftën kundër korrupsionit.

Kongresi gjithashtu ka shprehur mbështetje për sigurinë kibernetike dhe rezistencën kibernetike në Ballkanin Perëndimor, iniciativat për lidhje ekonomike rajonale dhe zhvillim, si dhe për promovimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe arsimor midis SHBA-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Autori i këtij dokumenti për Ballkanin Perëndimor, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve nga radhët e demokratëve, William Keating, tha për televizionin Insajder se miratimi i legjislacionit në dy dhomat e Kongresit tregon se Ballkani mbetet në radarin amerikan.

“Mesazhi i rëndësishëm është se Amerika vazhdon të jetë e interesuar për Ballkanin Perëndimor. Unë merrem me këtë rajon prej shumë vitesh dhe gjithmonë e kam konsideruar si një zonë të rëndësishme për ne. Njerëzit duhet ta dinë se edhe në këtë Qeveri të SHBA-së ka njerëz që e shohin Ballkanin si prioritet”, tha Keating.

Ai shpjegoi se legjislacioni u prezantua që në shtator, dhe më pas u përfshi në Aktin për mbrojtjen, me qëllim që të sigurohet miratimi i tij./REL