SHBA-ja sanksionon anëtaren serbe të Presidencës së Bosnjës dhe zyrtarë të tjerë të Republikës Sërpska

Departamenti amerikan i Thesarit shpalli të hënën, 31 korrik 2023, sanksionimin e katër zyrtarëve të Bosnjës për dëmtimin e marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës së viteve të 90-ta.

Në një njoftim të këtij departamenti thuhet se një zyrtar të nivelit shtetëror të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe tre zyrtarë qeveritarë nga Republika Serbe, janë drejtpërdrejt përgjegjës për inkurajimin e miratimit të një ligji nga Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe që synon t’i shpallë të pazbatueshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në entitetin serb, duke penguar dhe kërcënuar kështu zbatimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

“Ky veprim kërcënon qëndrueshmërinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës dhe paqen e arritur me vështirësi të mbështetur nga Marrëveshja e Dejtonit. Kjo sjellje kërcënon më tej përparimin e vendit dhe integrimin e suksesshëm në institucionet euroatlantike”, tha nënsekretari i Departamentit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. “Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës në përpjekjet e tij për të ruajtur sundimin e ligjit dhe për të siguruar që paqja dhe përparimi të mbizotërojë”.

Në njoftimin e departamentit thuhet se presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik, i cili është sanksionuar në janar të vitit 2022 dhe në vitin 2017 për pengim të Marrëveshjes së Dejtonit, sponsorizoi ligjin mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në entitetin e udhëhequr prej tij.

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë ushtroi autoritetin e tij më 1 korrik për të anuluar legjislacionin, duke e dënuar publikisht ligjin si dëmtues të rendit kushtetues rajonal, sundimit të ligjit dhe ndarjes së pushteteve. Pavarësisht veprimit të Përfaqësuesit të Lartë, Milorad Dodik e nënshkroi ligjin që hyri në fuqi më 7 korrik të vitit 2023.

Departamenti shënjestëroi në vendimin e sotëm Radovan Viskoviçin, kryeministër i Republikës Serbe, Nenad Stevandiçin, kryetar i Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe, Zhelka Cvijanoviçin anëtare e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Milosh Bukejloviçin, ministër i Drejtësisë në Republikën Serbe si përgjegjës ose bashkëpunëtor në, ose përfshirje në një shkelje ose një akt që ka penguar ose kërcënuar zbatimin e çdo marrëveshjeje rajonale të sigurisë, paqes, bashkëpunimit lidhur me Ballkanin Perëndimor.

Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore në Sarajevë. /VOA/

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë