Shefi i NATO-s konfirmon prezencën e trupave koreano-veriore në Rusi: Përshkallëzim i madh për luftën në Ukrainë

Shefi i NATO-s konfirmon prezencën e trupave koreano-veriore në Rusi: Përshkallëzim i madh për luftën në Ukrainë

Mark Rutte, shefi i NATO-s

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se aleanca ushtarake e ka konfirmuar se trupa të Koresë së Veriut janë në Kursk të Rusisë, rajon në kufi me Ukrainën.

Duke folur nga Brukseli, më 28 tetor, Rutte e ka konsideruar këtë hap si “përshkallëzim të madh” në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Sipas tij, ky veprim sinjalizon “dëshpërimin” e presidentit rus, Vladimir Putin, pas humbjes së më shumë se 600.000 ushtarëve në luftë.

“Thellimi i bashkëpunimit ushtarak në mes të Rusisë dhe Koresë së Veriut përbën kërcënim për sigurinë euro-atlantike dhe atë të Indo-Paqësorit”, ka thënë ai.

Rutte i ka bërë këto deklarata pasi ka zhvilluar një takim të nivelit të lartë me një delegacion të Koresë së Jugut, të përbërë nga zyrtarë të lartë të inteligjencës, dhe diplomatë të 32 vendeve anëtare të NATO-s.

Ai ka thënë se NATO-ja është “duke u konsultuar në mënyrë aktive brenda aleancës, me Ukrainën, dhe me partnerët tanë në Indo-Paqësor”, lidhur me këto zhvillime, dhe ka paralajmëruar se do të diskutojë në këtë temë me presidentin e Koresë së Jugut dhe ministrin ukrainas të Mbrojtjes.

“Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën nga afër”, ka thënë ai.

Shtimi i mijëra ushtarëve të Koresë së Veriut në konfliktin më të madh në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore, do të rrisë edhe më shumë presionin në ushtrinë e Ukrainës, si dhe rrezikon rritjen e tensioneve gjeopolitike në Gadishullin Korean, vlerësojnë zyrtarë perëndimorë.

Presidenti rus, Vladimir Putin synon vazhdimisht të riformësojë rendin global. Ai ka bërë përpjekje që të ndërtojë një kundërpeshë ndaj ndikimit të Perëndimit javën e kaluar, përmes organizimit të samitit BRICS, në të cilin kanë marrë pjesë liderë të Kinës dhe Indisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë javën e kaluar se ka informacione që trupat ushtarake të Koresë së Veriut do të jenë në fushëbetejë brenda ditësh.

Paraprakisht, ai pati thënë se Qeveria e tij ka siguruar informacion se 10.000 ushtarë të Koresë e Veriut janë gati për t’iu bashkuar forcave ushtarake ruse në luftën kundër Ukrainës.

Disa ditë para deklaratës së Zelenskyt, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, patën thënë se kanë të dhëna që ushtarë të Koresë së Veriut janë në Rusi.

SHBA-ja ka thënë se rreth 3.000 ushtarë koreano-veriorë janë në Rusi për trajnime. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Berberi: 28/10/2024 14:50

    Rusia ka humbur 600 mije ushtare dhe sipas ketij te natos kane problem po si eshte e mundur qe ata po avancojne ne Ukraine ? Mos mashtroni kot se atje keni shpenzuar miliarda dollare dhe ushtare te vendeve te natos dhe prape asnje rezultat keshtu qe pranoni humbjen dhe mos e shkaterroni fare Ukrainen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Barcelona rrezikon kreun, Flick ngre alarmin: Tani nuk krijojmë raste! Kapiten Raphinha: Niveli po ulet

Barcelona rrezikon kreun, Flick ngre alarmin: Tani nuk krijojmë raste! Kapiten Raphinha: Niveli po ulet