Shefki Njuma: Aventura jonë
e parë në Everest

Shefki Njuma: Aventura jonë<br />e parë në Everest
Shefki Njuma sot është 70 vjeç dhe drejton ekipin e alpinistëve të Dinamos. Në historinë shumëvjeçare të ngjitjeve të tij, është edhe Everesti. Plot 9 vjet më parë në këtë kohë ai gjendej thuajse mes reve, sa pranë aq edhe larg majës së famshme, si pjesë e ekspeditës së parë shqiptare që synonte të arrinte deri në lartësinë 5400 metra, ku ishte edhe kampi bazë. Ndonëse për fat të keq nuk ia doli të ngjitej së bashku me ekipin, në Kalapatara, mbërrriti ekipi që ai stërviti dhe kapelja e tij, lënë si kujtim në lartësi, nga dora e një amerikani alpinist. Në historinë e alpinizmit tonë, Shekfi Njuma është alpinisti më i vjetër shqiptar që i është qasur deri më sot Everestit.

Si lindi idea për të shkuar drejt Everestit?
Idenë na e dha shefi i IFDC-së, Klod Friman i cili kishte qene dy herë në Himalaje dhe duke parë përgatitjen tonë mendoi që mund të shkonim. U kristalizua si ide dhe filluan përgatitjet. Duheshin shumë para dhe përvojë fizike. Unë isha trajneri sepse kisha një përvojë 40- vjeçare si alpinist. Në atë kohë unë kam qenë 62 vjeç, një moshë shumë e madhe për një ndërmarrje kaq serioze si vajtja në Himalaje. Rrugës më thoshin: “Ej o i vjetër…’ por unë vetëm qeshja.

E kujtoni ditën e nisjes?
Ka qenë 10 prill 2003. U nisëm me peripecitë e shqiptarëve …mezi arritëm në Vjenë.Aty morëm vizat turistike për në Katmandu dhe mbërritëm pas 8-9 orësh. Pasi qëndruam 3 ditë në Katmandu, u nisëm për në qytetin e fundit malor, që kishte aeroportin më të vogël dhe më të pjerrët të botës. Aty uleshin vetëm avionët 10 vendësh. I merrnin alpinistët prej aty dhe i çonin në Lukla në 2460 metra. Prej aty udhëtuam tre orë dhe shkuam në një katund që quhet Papdint. Shkuam në 2600 metra. Udhëtuam edhe tre orë të tjera. Ditën e tretë, u ngjitëm në Namcepazar. Çdo ditë ngjiteshim nga 300 metra pasi mund të të plaste ndonjë enë gjaku ose të të zinte sëmundja e malit. Në fund të etapës së tretë bëmë një pushim për tu klimatizuar. Atë natë pas darke ndjeva njëfarë dhimbje koke. Kam qenë dy vjet i sëmurë me sinozit dhe e dija çfarë po më kapte. Atë ditë ndenja pa kapele se ishte diell i bukur. Më kapi sinoziti dhe i kërkoj shoqëruesit të shkojë në farmaci të më blinte ilaçe, por kjo nuk bëhej pa u këshilluar me udhërrëfyesin. Ai më dha një ilaç për sëmundjen e malit, ndërkohë që unë i thashë që kam vetëm sinozit. Por ai këmbënguli dhe më tha që kam sëmundjen e malit dhe duhet të më zbrisnin poshtë. Të tjerët nuk u ndienë fare, dhe të nesërmen unë dërgova dikë të më blinte amoksicilinat. Çuditërisht shokët e mi vendosën të nisen e të më linin mua aty dhe të më zbrisnin poshtë me një nga sherpët. Dhjetë ditë nuk kisha asnjë lajm nga ekipi. U kurova, u bëra mirë dhe meqë më kishin lënë ca para, mora një sherp dhe jam ngjitur në Majën e Luleve, Gulmelah, e lartë 4 mijë metra. Mbasi u ndanë me mua ekipi bëri edhe gjashtë etapa të tjera me nga 300 metra dhe arritën në kampin bazë. Aty është një fushë e madhe me shumë alpinistë, sidomos atë vit kur ishte 50 vjetori i ngjitjes së parë në majën Everest. Ekipi shqiptar kishte arritur deri në 5400 metra që ishte edhe objektivi. Jo të gjithë njerëzit që shkonin në kampin bazë, ngjiteshin në majë. Një ekspeditë serioze mund të ketë 60 alpinistë dhe hamej e sherpë dhe mund të ngjiten vetëm dy vetë. Për ne ishte sukses që shkuam deri atje. Ata bënë edhe një ndërmarrje të bukur dhe për tre orë ngjitën një majë që quhej Kala Pathar. Aty bëhet ngjitja e fundit për ata që kanë ardhur deri në kampin bazë. Është e vështirë se bëhen 100 e ca metra për tre orë. Ata që ngjisin Kala Patharën synojnë të kthehen sa më shpejt sepse janë vazhdimisht nën presionin e lartë.

Sa veta ishit në atë ekspeditë?
Kemi qenë nëntë vetë, nga klubi Tirana isha unë, trajneri i ekipit, Ilir Tapia, Xhim Begeja dhe një operator që nuk ishte alpinist i famshëm, por kishte nje vullnet dhe mirësi të jashtëzakonshme. Përparim Laçi, alpinist i njohur i Pukës, një biznesmen Art Agolli, që kishte përgatitje të mirë fizike. Nga shoqata “Dajti Alpino-Turistik”, ishte Ibrahim Hackaj, Klod Friman dhe një djalë i ri, që tani fatkeqësisht nuk jeton më, Ilir Çopani, ai ishte më i vogli, 19 vjeç. Ai qau kur më lanë aty. I dhashë Klod Frimanit, një palë çorape dhe kapelen time, një beretë leshi, që të m’i çonte në Kala Pathar dhe kur u kthye më tha: “Mos u mërzit se ti vërtet nuk shkove, por shkoi ekipi që stërvite ti dhe kapelja jote!”

Si është raporti me tokën në 4600 metra?
Ndihet shumë mungesa me oksigjenin, sidomos unë që bëra mbi një mijë metra. Bëra një përpjekje të madhe sepse nganjëherë kur njeriu dëshpërohet shumë e humb llogarinë. Së pari isha mërzitur, por doja edhe të bëja diçka. Unë u shërova, kisha shkuar për një qëllim, ndonëse ekipi im e arriti qëllimin meqë mbërriti deri aty ku ishte menduar.

Cila është pjesa më e vështirë e ekspeditës Everest 2012?
Maja. Uroj ta kapin majën, por nuk e besoj. Ne jetojmë në 76 metra mbi nivelin e detit dhe kanë një vit e gjysmë që përgatiten, por mendoj se është shumë pak për të arritur Everestin, Një ndërmarrje e tillë është pothuajse e paarritshme. Unë e quaj si të pamundur, megjithatë uroj t’ia dalin mbanë.

(Intervista u botua ne te perjavshmen FUNDJAVA, te gazetes Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    6 muaj mungesë në Kuvend për shkak të arrestit, a duhet t'i hiqet mandati Berishës?



×

Lajmi i fundit

'Im atë erdhi 4 vjeç në Shqipëri', Alket Veliu: Jam rritur me tregimet e tij, më ka motivuar për çështjen çame

'Im atë erdhi 4 vjeç në Shqipëri', Alket Veliu: Jam rritur me tregimet e tij, më ka motivuar për çështjen çame