Shefqet Musaraj-Enverit: Abaz Ermenji
me shokë duan të bashkohet me ne

Shefqet Musaraj-Enverit: Abaz Ermenji<br />me shokë duan të bashkohet me ne
TIRANE- Gjatë kohës së luftës Shevqet Musaraj mbante pseudonimin Shkrimtari. Me këtë pseudonim ai ka nënshkruar një varg letrash nisur Enver Hoxhës, Nako Spiros, etj,  për shumë çështje të rëndësishme të Partisë e të organizimit të luftimeve, letra që ruhen në fodnin 14 në AQSH.  Nga letrat që dërgon, del se Musaraj kryesisht ka operuar në kryeqytet në Tiranë, nga ku e nis edhe këtë letër për Enver Hoxhën.

Letrën e ka shkruar në dy kohë një pjesë me 25 maj dhe pjesën tjetër me 26 maj 1944. Në këtë letër ai informon ndër të tjera eprorin e tij se ka pasur arrestime dhe se reaksioni ka qenë i fortë. Në banesën e Mustafa Krujës është vënë re lëvizje e madhe personalitetesh të qeverisë, informon Musaraj duke shpjeguar se janë hapur fjalë që do të ketë ndryshime në qeverinë kuislinge.

“Do të vijë në fuqi Gjon Markagjoni dhe Fiqri Dinija (domethënë një kombinacjon fashisto-zogist këtë radhë), kurse Deva, i cili akoma s’është kthyer, do të marrka guvernatoratin e Kosovës”, shkruan Musaraj.  Më tej ai informon për gjendjen aspak optimale në rradhët e Ballit Kombëtar i cili po dobësohet dita-ditës, ndërsa Abaz Kupi bën thirrje që të shpërbëhet Balli e forcat e tij të inkuadrohen në radhët e zogistëve.

Më tej në këtë letër pasi i raporton Hoxhës për disa aksione të forcave Nacional-çlirimtare,  Musaraj i shpjegon në pjesën e dytë të letrës shkruar me 26 maj më hollësisht kërkesën e elementëve të Ballit për t’iu bashkuar Frontit Nacional Çlirimtar.

“....Skënderi, Fasli Frashëri, Fahim Çarçani, Abaz Ermeni(!), Hysni Jenisheri, Ismail Tatzati dhe ndonjë tjetër duan të formojnë një grup më vehte (të quhet grup nacjonalistash) i cili duke u shkëputur nga Balli, do të demaskojë krejt politikën tradhtare të këtij (faji i M. Frashërit, A. Këlcyrës, F. Ankut etj.) dhe do të hidhet në luftë imedjate kundër okupatorit në konformitet të përpiktë me vijën politike të frontit N.Ç...”, i sqaron Musaraj Enver Hoxhës, ndërsa i  shkruan pak më poshtë se nuk beson që ata ta kenë megjithëmend këtë gjë, dhe se ende nuk janë takuar për të biseduar konkretisht.
Më tej në letër Musaraj e njofton Hoxhën se këta elementë  kanë qenë në një mbledhje në fshatin Tujan me Abaz Kupin, Mehdi Frashërin e Mustafa Krujën dhe të tjerë personalitete.

Interes në këtë letër paraqet edhe  informacioni që Musaraj përcjell për Pezën. “Një kapiten dhe një kapter ingliz kanë shkuar në Pezë me një letër për Msylimin nga ana e Mac-linit dhe Seimer-it. Thonë se do presin në Pezë deri sa të kthejë Myslimi.”. Musaraj i shkruan Hoxhës se shokët e kanë demaskuar figurën e Abaz Kupit tek anglezët dhe ata sipas tij kanë rënë dakord për disa çështje, por sipas tyre, thotë në Shqipni ekzistojnë tri partina: ajo e Shqipnis së Mesme, Jugut dhe Veriut...,  pra “me pak fjalë përsërisin parullat e reaksjonit”, përfundon Musaraj.
 
Letra e plotë
 25-5.44
I dashur Taras,
Para pak ditësh nisnë për aty letër, raport mbi gjendjen e organizatës dhe dy letra të mbyllura që vijshin nga Jugosllavija për Komitetin Qendror. Besojmë t’i kini marrë.
Gjendja e organizatës vete mirë. Bie në sy një farë ndryshimi në punën e mobilizimit. Shtohet numri i elementeve që shkojnë në ushtri. Në sektorët e tjerë të punës nuk shihet ndonjë ndryshim. I kemi vënë fuqi këto ditë kontrollimit të celulave, gjë që nuk ka qenë bërë prej 3 muajsh e këtej.

Nga raporti që u dërguam rezultojnë 18 të përjashtuar nga 15 Prilli e këtej, kurse nuk shënohet asnjë antar i ri partije. Edhe mbi këtë çështje është hequr vrejtja e celulave të cilat duhet të interesohen për propozime anëtarësh. Me aksionet në qytet nuk kemi lënë deri tani asgjë. Shoku Devolli që ka përgjegjësin’ e punës ushtarake pësoi ditët e kaluara një incident të vogël. U rrethua keq prej gjendarmëve dhe mundi të shpëtojë nga guximi që tregoi kundër tyre. Tani kërkohet shumë dhe kjo gjë e ka penguar diçka më tepër të lëvizë. Me gjith këtë nuk pushojmë së interesuari për çështjen e aksioneve.

Reaksjoni vazhdon të ndihet. Bëhen gjithnjë arrestime, por gjer tani organizatën s’kanë mundur ta dëmtojnë. Ishin kapur gjer tani dy shokë (Kodra dhe Sporti) por i pari u lëshua. Sporti qëndroi mirë para policisë me gjith torturat që i bënë.
Është parë këto ditë një lëvizje e madhe personalitetesh të qeverisë në banesën e Mustafa Krujës. Mustafa shkoi edhe në Shkodër.

Këto lëvizje koincidojnë me fjalët që janë hapur se gjoja qeverija kuislinge do të pëspjë ndryshime: do të vijë në fuqi Gjon Markagjoni dhe Fiqri Dinija (domethënë një kombinacjon fashisto-zogist këtë radhë), kurse Deva, i cili akoma s’është kthyer, do të marrka guvernatoratin e Kosovës. Balli konsiderohet prej qeverisë si fuqi e dorës së dytë mbasi nuk tregon në gji të tij asnjë kompaktësi. Fashisto-zogistat kërkojnë shpërndarjen e ballit dhe inkuadrimin e forcave të tij në ushtrin’ e rregullt të tyre. Pakënaqësira serjoze janë vërtetuar midis krerëve të Ballit.

Dosti, Skënder Muçua dhe Fasli Frashëri vazhdojnë të kërkojnë me insistim pjekje me neve për një dezertim “pa kondita” dhe vetëm si individë në favorin tonë. Nuk kemi bërë akoma takim me ta për të konstatuar, të paktën, se deri ku janë të vërteta fjalët që na raportojnë për ta.
Raportet që i vinë qeverisë nga prefektat e Korçës, Vlorës e Gjirokastrës e paraqesin gjendjen shumë të vështirë për reaksjonin.
 
Dy shokët e Rinis, Shpuza dhe Alqi, që u nisnë më 21 të majit për Shkodër, me gjith se pa leje, harrijtin fare mirë.
Në letrën e parë të bënja fjalë për raportin mbi radjotrasmitentin, por në momentin e fundit, kur mjeti që mezi patëm rastin të sigurojmë do të nisesh me urgjencë, raporti s’më qe dorërzuar. Kështu ngeli pa u nisur. Po ta dërgoj këtu mbyllur. Ke çifrarin dhe mënyrat se si në ç’valë e në ç’orë do të bëhet transmetimi. Ke gjithashtu listën e aparateve e të veglave të ndryshme që përmban trasmitenti.

Në Dajt nisëm kto ditë Ziain, S. Jasën dhe 3-4 shokë të tjerë përveç elementeve simpathizantë. Me Zijanë fjalosëm gjatë për çështjen e mosmarrëveshjeve me komandantin. Ai iku me shpresë se prezenca e tij do të vlejë për t’evituar ndonjë të papritur.
Të kisha shkruar për aksionin e Dajtit mbi vijat telefonike dhe mbi djegien e godinave të Postës e të Komunës në Gurrë. Tjetër raport aksjoni s’kemi pasur prej tij. Ishmi gjithashtu vetëm një aksjon mbi vijat telefonike ka mundur të kryejë gjer tani.

(Bazi arrestoi me këtë rast shumë katundarë dhe i mbajti 48 orë nën vrejtje. Çështjen do ta demaskojmë me shtyp). Në Pezë përkundrazi aksjonet kanë qenë më të gjera: U prenë 200 shtylla telefoni dhe u muarr krejt teli; u sulmuan dy kamiona gjermane me materjal; u sulmua në Kavajë kazerma me 600 gjendarmë që ishin grumbulluar në konferenc’ e propagandë kundër nesh; u vranë patrullat dhe u minua rreth oborri i kazermës; xhandarët u shpërndanë në panik; humbjet kanë qenë të mëdha për ta.

Përveç ksajë forcat e Pezës kanë thyer dy tentativa rrethimi të ballistave, xhandarëve e gjermanëve. Në tentativën e parë (Pical dyqind xhandarë e ballista u çpartalluan tue humbur 20 vetë; në të dytën, forca të mëdha xhandarë dhe gjermanë (në ballë të luftës edhe Qazim Mulleti) u tërhoqën në panik duke lënë të vrarë, të plagosur dhe robër. Kanë pasur 1 vullnetar të vrarë dhe 3 partizanë të plagosur.
Kemi mundur tani në fund të rregullojmë lidhje të mira me të tri zonat e qarkut tonë, gjë që na kish munguar nja dy muaj me radhë.
Puna, në përgjithësi, dëfton një farë përparimi.
 
26-5-44
Puna e Dostit, S. Muços dhe F. Frashërit që të përmenda më sipër qëndron kështu: Skënderi, Fasli Frashëri, Fahim Çarçani, Abaz Ermeni(!), Hysni Jenisheri, Ismail Tatzati dhe ndonjë tjetër duan të formojnë një grup më vehte (të quhet grup nacjonalistash) i cili duke u shkëputur nga Balli, do të demaskojë krejt politikën tradhtare të këtij (faji i M. Frashërit, A. Këlcyrës, F. Ankut etj.) dhe do të hidhet në luftë imedjate kundër okupatorit në konformitet të përpiktë me vijën politike të frontit N.Ç.

Me gjith këtë ata janë të frikshëm nëse do mund të bëjnë gjë që t’u rritë rysbenë brenda frontit tonë mbasi nuk kanë një fuqi ushtarake të mjaftuar. Qëndrimi i ynë në të tilla raste ka qenë dhe është që të tillët të hidhen në luftë kundra gjermanëve dhe kujdo që ndihmon gjermanët, të marrin qëndrim të prerë kundrejt ballit duke i vënë gjishtin këtij si tradhtar nr. 1 i popullit dhe si shkaktari kryesor i tragjedisë që u zhvillua, të pranojnë pa asnjë rezervë vijën politike të frontit N.Ç. dhe të gjitha këto pa krijuar një grup siç e kanë qëllim ata para se të kenë hyrë efektivisht në luftë brenda frontit tonë.

Në marrëveshje me grupin e përmendur për një punë të tillë qenka edhe Hysni Peja. Këtë ata e konsiderojnë si një element në të cilin na kemi besim dhe si i tillë ay do të vlejë pak a shumë për të na inspiruar neve një farë besimi edhe kundrejt të tjerëve. Me një fjalë e konsiderojnë Pejën si përfaqsues dhe njëkohësisht mesitës për të forcuar pajtimin me neve.

Këto i mësova përmjet Babashehut. Asnjë nga ana jonë nuk ka shkuar deri tani të flasë drejt për drejt. Për elemente si Fasli Frashërin dhe Enverin që janë demaskuar mjaft më duket si e zorshme që t’ja paraqesim frontit tonë si të penduar. Me gjith këtë, në qoftë se ata vinë dakord mbi gjithçka pretendojmë neve (shkurt hedhja pa konditë e pa parti në frontin tonë d.m.th. në luftë imedjate) do t’i nisim më ndonjë anë (Pezë ose Korçë). Aty pastaj gjendet fjala.

Sidoqoftë unë besoj se ata i kanë vetëm fjalë thënjet e tyre. Se, kur të vijë puna për të zbatuar çka thonë, jam i sigurt se nuk do jenë aq preçizë. Zaten kanë kohë që e ngjasin e e ngjisin, por një vendim të prerë nuk e kanë dhënë.
Pardje në katundin Tujan kanë qenë në mbledhje me Abaz Kupin, Mehdi Frashërin e Mustafa Krujën dhe të tjerë personalitete.

Një kapiten dhe një kapter ingliz kanë shkuar në Pezë me një letër për Msylimin nga ana e Mac-linit dhe Seimer-it. Thonë se do presin në Pezë deri sa të kthejë Myslimi. Shokët u kanë demaskuar mjaft veprën e Bazit. Shumë fakte ata i pranojnë, por shumë herë dëgjohen të thonë se në Shqipni ekzistojnë tri partina: ajo e Shqipnis së Mesme, Jugut dhe Veriut. Me pak fjalë përsërisin parullat e reaksjonit. Te Bazi janë 10-12 oficera.
Në Pezë partizanët rrëzuan pardje me dyfek një aeroplan gjerman që shkonte zakonisht për të hedhur afishe nga të Gestapos.

Një njisit i Dajtit paska tentuar më 21 të këtij muaji të rrethojë në katundin Gurrë 20 ballista t’armatosur. Ballistat hapnë luftë dhe mundnë të tërhiqen mbasi partizanët s’kishin pasur fuqi të bënin një rrethim komplet (ishin vetëm 8-9 veta). Mbetën 2 ballista të vrarë. Nga ana jonë u vra Qamil Manglli, vullnetar dhe u plagosnë 3 partizanë.
Tentativat e Mulletit për të mobilizuar katundarët kundra neve nuk kanë pasur sukses. Në shumë katunde (veçanërisht rreth Erzenit që influencohen nga Peza) i përgjigjen troç: vrana, digjna, por armë nuk marrim.

Xhaf Bali, me anën e një trakti që lëshoi kto ditë n’Elbasan e në Tiranë demaskon Ballin me rastin e deklaratës që kish bërë ky i fundit me anën e së cilës shkarkohesh nga përgjegjësija mbi çka kish ndodhur n’Elbasan kto 6 muajt e fundit Xh. Bali thotë se çdo gjë është bërë me aprovimin e plotë të Ballit Kombëtar dhe se deklarata e Ballit është një nga dallaveret e zakonshme të krerëve të tij.
 
Të fala tyj dhe gjithë shokëve.
VF. LP.
Shkrimtari
 
Presim pa durim, si na dhe populli,
Përfundimet e Kongresit Antifashist.

 
Shkrimi u publikua sot (22.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)