Shehi: Nuk marrim pjesë në
Kuvend, PD do të rezistojë

Shehi: Nuk marrim pjesë në<br />Kuvend, PD do të rezistojë
TIRANE- Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi, që është pjesë e grupit të PD thotë se do vijojë bojkoti i opozitës derisa Rama të tërhiqet nga akti normativ për nëpunësin civil apo Kushtetuesja të vendosë. Ai thotë se do vijojë rrjedhja nga e djathta, e cila duhet bashkuar.
 
Një ndër eksponentët më të fortë të së djathtës, kreu i LZHK Dashamir Shehi i dalë nga listat rajonale të PD dhe që pritet që partia e tij të shkrihet me demokratët, është shprehur pro bojkotit të Kuvendit deri sa mazhoranca të tërheqë aktin normativ për nëpunësin civil apo të vendosë Gjykata Kushtetuese. Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com”, Shehi nuk ka munguar të akuzojë kreun e mazhorancës Edi Rama se ka shkelur konsensusin e arritur para disa muajsh në lidhje me këtë ligj, ndërsa nuk ka munguar të shprehet se nga e djathta do të vijojnë rrjedhjet. Ndërsa takimin e dy ministrave të qeverisë Rama me kreun e PDIU Idrizi, kreu i LZHK nuk e quan zgjidhje.

Ai tha se zgjidhja e vetme është konsensusi, i cili i shërben dhe integrimit të vendit, ashtu sikurse i shërben reagimi i PD me dalje nga salla e Kuvendit për këtë ligj. Duke folur për bashkimin e së djathtës, Shehi shprehet dakord, ndërkohë që kërkon që gjithçka të kryhet përmes takimeve dhe dialogut për gjetjen e formulës më të mirë dhe më efikase, e cila të përkthehet me mbështetje në dy sfidat elektorale që politika shqiptare ka përpara dhe që e djathta sipas tij duhet t’i fitojë.
 
Opozita ka vendosur të vijojë bojkotin deri në momentin kur Rama dhe mazhoranca të tërheqin aktin normativ. Kaq rëndësi ka...?
Për çështjen e bojkotit që pyesini ju, për hir të së vërtetës nuk do më pëlqente ta quaja kështu, sepse nuk është vendosur me një vendim të formës së prerë nga grupi parlamentar i PD apo nga opozita një gjë e tillë. Më mirë të themi kjo është një taktikë e grupit parlamentar të PD në funksion të mbrojtjes “in ekstremis” të konsensusit të vendosur disa muaj më parë mes mazhorancës dhe opozitës për miratimin e ligjit për Statusin e Nëpunësit Civil.  Këtu numrat nuk hyjnë në punë, nuk janë për të bërë ndonjë pengesë, pasi rëndësi ka konsensusi që është çështje principi, për shkak se nëse është rënë dakord me konnsensus për një ligj, atëherë kjo duhet të zbatohet. Gjykoj se opozita ka qënë e hapur në kërkesën e saj, dhe po i qëndron konsensusit të arritur muaj më parë. Sa për qëndrimin taktik që ka marrë për të mos qënë prezent në sallën e Kuvendit, ky pozicion do të vijojë dhe javët e ardhshme, pasi presim dhe vendimin në Kushtetueses, nëse do ta pranojë ose jo kërkesën tonë për shpalljen antikushtetues të Aktit Normativ për ligjin për Nëpunësin Civil.
 
Por përfaqësues të PDIU janë takuar me dy ministra të kabinetit qeveritar, Celibashi e Gjosha për rёndёsinё e pjesёmarrjes nё Kuvend gjatё diskutimit tё Aktit Normativ pёr Nёpunёsit Civil. Si e komentoni?
Nuk e di çfarë është diskutuar në mënyrë zyrtare në atë takim dhe nuk kam çfarë të them. Por gjykoj se po u përfshinë në këto lloj bisedash, duke anashkaluar konsensusin e arritur muaj më parë, nuk është gjë e mirë. Ajo që mund të them është se vendimi i fundit i grupit parlamentar të PD konsiston në faktin se ne nuk tërhiqemi nga pozicioni i mbrojtjes së konsensususit të arritur muaj më parë. Nëse PS dhe Edi Rama e tërheq ligjin, këtu hapet një faqe e re në këtë histori bashkëpunimi. Shpresoj se kjo faqe e re e bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës, do të hapet.
 
Kur braktiste opozita Kuvendin, mazhoranca e djathtë e asaj kohe e akuzonte se po bllokon integrimin në BE. Po tani...?
E para gjykoj se kjo që po bën PD nuk është bojkot. E dyta gjykoj se integrimit i shërben më shumë një ligj i miratuar me konsensus se sa një ligj që miratohet në mënyrë të njëanshme, pasi nuk vlerësohet vënia në punë e numrave në Kuvend, por miratimi me konsensusin e palëve i ligjit. Nëse PS vë në punë numrat, atëherë konsensusi nuk ka vend në këtë element bazë të parlamentarizimit.
 
Kryeministri Rama përmes Këshillit të Rregullimit të Territorit mori vendim për anulimin e kullave që shoqëronin ndërtimin e xhamisë së Tiranës, kërkesë e komunitetit musliman. Komenti juaj?
Unë gjykoj që xhamia do të bëhet me çdo kusht, është bërë një gjë imperative dhe e domosdoshme për këtë komunitet, e për të krijuar barazi mes komuniteteve fetare. Por nga ana tjetër është i domosdoshëm dhe për anën funksionale, pasi besimtarët muslimanë të Tiranës nuk mund të falen më tek xhamia e vjetër. Gjykoj se zgjedhja e bashkisë së Tiranës për koordinimin e intesit publik me atë privat është një oportunizëm që ka kthyer interesin e vetë privatëve dhe komunitetit fetar tek ky element ekuilibri. Do të vonohet procesi i dhënies së lekëve, ndërtimi dhe interesat e komunitetit musliman dhe të privatëve, unë gjykoj që edhe kësaj mund t’i jepet zgjidhje. Nëse këtu vendoset sipas parimit: “kundërshtarët na kanë bërë këtë, dhe ne do t’ia kthejmë me të njëjtën monedhë”, atëherë asgjë nuk do të funksionojë këtu.
 
Bashkimi, në fillim i fol për krijimin e një konfederate, pastaj të një shkrirje të të djathtëve në një union. Ju jeni dakord për shkrirjen e së djathtës...?
Unë jam i hapur për federatë, konfederatë por dhe për unione e për bashkim partish të djathta. Jam i hapur për të nisur një debat brenda së djathtës dhe për të përcaktuar po përmes debatit dhe diskutimit se kush është formula më e mirë e bashkëpunimit, por se kush do të jetë elementi më efikas që mund të shënojë progresimin e së djathtës. Unë besoj se kjo e djathtë do dijë të bashkojë rreth vetes të gjithë të djathtët për betejën elektorale të pas 2 viteve. Nuk jam xheloz se kush e dha këtë ide, unë kam idetë e mija, ai tjetri të vetat hajt të debatojë dhe të arrijmë në një qëndrim të përbashkët. Vetëm diskutimi është një proces konstruktiv dhe kontribuon në zgjidhjen e procesit të bashkimit të të gjithë të djathtës. Pastaj se cila do jetë formula, kjo do të vendoset në të ardhmen, një proces që duhet të përfundojë sa më shpejt.
 
Ju thoni bashkim por po largohen shumë nga e djathta drejt të majtës në qeverisje....?
Procesi i bashkimit është një përspektivë për sfidat elektorale. Gjatë rrugës mund të ketë edhe rrjedhje, por gjykoj që nuk është ky problem bazë, pasi opozita nuk është problem numrash. Opozita ka detyrë të bëjë një ofertë bazë politike dhe ta prezantojë me njerëz të saktë në elektorat. Pastaj nëse këtë punë do ta bëjë mirë atëherë do të marrë mbështetjen e qytetarëve. Do të uroja që procesi i debateve për largim të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që ta dimë se kush në të vërtetë është në opozitë dhe kush jo, për të nisur më pas procesin e debatit politik për gjetjen e formulës më të saktë të bashkimit të së djathtës përballë mazhorancës së majtë. Kemi dy sfida elektorale përpara në një hark kohor të shkurtër dhe duhet të jemi të përgatitur për t’i fituar.

 Shkrimi u publikua sot (12.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Një vit pas arrestimit, lirohet nga qelia mjeku Dervish Hasi! Bie akuza e trafikut të të miturve, dërgohet për gjykim për pornografi

Një vit pas arrestimit, lirohet nga qelia mjeku Dervish Hasi! Bie akuza e trafikut të të miturve, dërgohet për gjykim për pornografi