KUKES- Prej 10 ditësh, rreth 50 familje të lagjes Xhaferraj–Turraj në Kukës ndodhen të izoluara si pasojë e rrëshqitjes masive që ka dëmtuar rëndë rrugën lidhëse me qytetin, në aksin Kukës–Shishtavec–Topojan.

Reshjet e dendura të shiut dhe borës gjatë ditëve të para të janarit kanë shkaktuar shembjen e trasese së rrugës duke e bërë atë të pakalueshme për automjetet.

Aktualisht, banorët janë të detyruar të kalojnë në këmbë mbi zonën e shembur, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e tyre.

Situata po rëndohet çdo ditë e më shumë, pasi mungesa e qarkullimit po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të banorëve, veçanërisht për furnizimin me ushqime, shërbimet shëndetësore si dhe dërgimin e fëmijëve në shkolla dhe kopshte.

“Kemi fëmijët pa çuar në shkollë. Patatet i kemi stok, nuk i nxjerrim dot në treg. Nuk kemi as bazë ushqimore për blegtorinë. I bëjmë thirrje shtetit që të hapë rrugën se jemi të izoluar. Të marrin masat sa më shpejt se këtu jemi katastrofë. Të paktën një rrugë provizore më pas të bëhet studimi për erozionin. Ka rrëshqitje dherash në gjithë kodrën. Unë dhe tek shtëpia kam rrëshqitje dherash. Ne nuk bëjmë dot punime as në shtëpi pa ardhur gjeologët. Jemi 50 famije të izoluara, të vijnë sa më shpejt ekspertët”, thanë banorët.

Një tjetër shqetësim i madh lidhet me sigurinë e banesave, pasi rrëshqitja e dherave ka ardhur shumë pranë shtëpive.