Shpëtojnë mrekullisht nga vdekja, çifti i të moshuarve Kasaj në fshatin Gorricë nga Këlcyra. Mbrëmjen e të martës është shembur çatia e banesës përdhese ku jetojnë të vetëm bashkëshortët Tomorr e Bukurie Kasaj.

Fati ka qenë me ta pasi e kanë ndjerë shembjen në momentin kur intensiteti i reshjeve të shiut, ishte i madh dhe se shenjën e parë e dha muri anësor i banesës ku u trondit.

“Shtëpitë janë shumë të vjetra, janë ndërtuar qysh në vitet 30, pikonin, çfarë binte jashtë binte brenda, ishim duke fjetur dhe u hap muri, e ndjemë dhe dolëm shpejt jashtë, shpëtuam na ka ndihmuar zoti”, thotë Tomorr Kasaj.

Të ngelur në qiell të hapur, e kanë parë të udhës të strehohen tek kasollja e bagëtisë duke e përshtatur si mjedis strehimi, ndërkohë që të imtat i kanë dëbuar.

“Po flemë në kasolle, kemi dëbuar bagëtitë dhe flemë vetë këtu, a jetohet këtu të flemë në një krevat me susta dy veta? Është shumë e vështirë, plaçkat i kemi nxjerrë të gjitha jashtë në shi në mëshirë të zotit”, tregon e shqetësuar Bukurie Kasaj gruaja e kryefamiljarit.

Dëmi është i madh dhe i pallogaritshëm sepse nuk kanë asnjë mundësi financiare për të rehabilituar gjendjen, e jo më të flitet për të rikuperuar mungesën e orendive.

Burrë e grua apelojnë tek çdokush që ka mundësi t’i ndihmojë qoftë edhe me një ndihmë jo vetëm financiare, por edhe materiale pasi e kanë të pamundur të jetojnë në kushtet e tashme.

“Ju lutem të na ndihmoni, vini dorën në zemër, ju e shikon ku jetojmë neve”, shpjegon kryefamiljari Tomorr Kasaj.

“Të ardhura nuk kemi, nuk kemi nga t’ia mbajmë, kemi ngelur në mes të shiut, futet i gjithë shiu brenda, ju bëjmë thirrje të gjithëve, kush do le të na ndihmoj sa të ketë mundësi”, thotë Bukuri Kasaj.

Deri tani askush nga Bashkia e Këlcyrës nuk ka ardhur për të parë gjendjen e banesës së Tomorrit, por Report TV, informoi prefektin e ri të Qarkut të Gjirokastrës Astrit Aliaj për situatën e krijuar çka premtoi për zgjidhjen e kësaj problematike.

Po çdokush mundet të kontribuojë për këta të moshuar qoftë edhe me një ndihmë sado të vogël jo vetëm financiare.

Numri cel: 0682774696

[gallery]24727[/gallery]

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com