Një pjesë e banesës trekatëshe e familjes Fico në lagjen Palorto të Gjirokastrës u shemb në orët e para të mëngjesit, pa shkaktuar dëme ne njerëz.
Zonja e shtëpisë, Lule Fico e cila jeton e vetme, rrëfen për Report TV se u zgjua pak minuta para se të rrëzohej muri i dy dhomave të gjumit në katin e tretë.
“Isha në krevat po flija, ora 7 e gjysmë. Unë ngrihem shpejt, por sot mirë që s’u ngrita, se do isha në përrua. As nuk e dëgjova fare. Kur vijnë komshinjtë, brenda. Ç’është kjo ëndërr jam këtu thashë”, rrëfen ajo.
Një komshie që ndodhej aty pranë tha se gjithçka ndodhi shumë shpejt, “sa hap e mbyll sytë”.
“Më lajmëroi djali i hallës, erdha këtu gjeta policinë, të tërë lagjja kishin ardhur këtu. Ka rënë muri në dy dhomat. Të tëra ndikojnë, shiu 3 muaj, them unë. Specialistët të bëjnë punët e tyre”, tha fqinja.
Përkohësisht, e moshuara është strehuar në një hotel pranë shtëpisë deri sa fëmijët e saj ta marrin drejt Tiranës.
Dhjetë vite më parë, banesa kishte pësuar dëme në çati, ndërsa sot muret kryesore dhe pjesa e sipërme e ndërtesës janë shembur. Investimet e DRKK ishin fokusuar vetëm në fasade, ndërsa muret u lanë në degradim derisa ranë.
“Kishte çarje, kisha thënë unë. S’ka gjë thonte inxhinieri i monumenteve të kulturës. Unë ika nga ajo dhomë, flija tek dhoma tjetër nga rruga”, tregon e moshuara.
Banesa Fico është e klasifikuar si Monument Kulture, Kategoria I. Edhe pse mbrohet nga shteti, për vite me radhë mbeti pa investime, duke rrezikuar seriozisht strukturën e saj. Përveç rëndësisë historike, kjo banese ka qene pikë referimi për turistet.
E ndërtuar në vitin 1902, banesa përfaqëson arkitekturën tradicionale gjirokastrite të fundshekullit XIX dhe fillim të shekullit XX. Ndërsa Fico, është një nga familjet më të njohura të qytetit, ku përmendim Rauf Fico, diplomat karriere dhe ministër i jashtëm në 1929-ën.
Komente










