Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi sot një inspektim në Degën Doganore Bllatë, në vijim të masave të ndërmarra për përballimin e situatës së krijuar nga bllokimi i aksit Librazhd–Elbasan dhe devijimi i fluksit të mjeteve drejt kësaj pike kalimi kufitar.
Pas marrëveshjes së arritur me palën maqedonase dhe koordinimit ndërinstitucional, që prej ditës së djeshme kamionët që, për shkak të situatës rrugore, nuk kanë mundur të kalojnë përmes Degës Doganore Qafë-Thanë, po përdorin pikën e kalimit kufitar të Bllatës për hyrje/dalje në territorin doganor shqiptar. Kjo ka sjellë një rritje të menjëhershme të volumit të punës në këtë degë, duke kërkuar riorganizim të burimeve njerëzore dhe logjistike.
Gjatë vizitës në terren, Beja ndoqi nga afër zbatimin e planit të masave, përforcimin e sporteleve të shërbimit dhe përpunimin e mjeteve në hyrje dhe dalje. Në prononcimin e tij, ai u shpreh: “Bashkë me kolegët e Drejtorisë së Përgjithshme jemi këtu në Bllatë për të vëzhguar zbatimin e planit të masave. Më vjen mirë të shoh që ka pasur zbatim të rregullt, pavarësisht shtesës së ngarkesës së kësaj pike doganore, siç shikohet çdo gjë po lëviz normalisht.”
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka angazhuar personel shtesë dhe ka marrë masa për garantimin e përpunimit sa më të shpejtë të formaliteteve doganore, me qëllim shmangien e vonesave dhe mbështetjen e operatorëve ekonomikë në këtë situatë të përkohshme.
Komente












