Pas shembjes së aksit Librazhd-Prrenjas, ku kalimi për automjetet ishte bllokuar, rruga provizore që do të bëjë të mundur kalimin nga një krah në tjetrin do të hapen ditën e nesërme në orën 12:00.
Lajmin e bëri të ditur vetë kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili tha se kalimi do të jetë për të gjitha mjetet, makina të vogla, mjete transporti të qytetarëve dhe kamionat. Rruga provizore po ndërtohet midis Korridorit VIII dhe rrugës ekzistuese e cila është shembur.
Ndërkohë segmenti 1.3 km i rrugës alternative (jo provizore) do të ndërtohet përkrah hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin. Ky segment kalon pjesën e erozionit dhe ruan një pjerrësi të përshtatshme dhe të sigurt për kalimin e mjeteve.
Ndërkohë kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli, gjatë një deklarate për mediat është shprehur se aksi i ri alternativ i rrugës Librazhd-Prrenjas do të ketë një gjerësi prej 9 metër. Kozeli tha gjithashtu se ARRSH ka marrë vendim që të pezullojë punimet për Korridorin VIII, deri në përfundimin e punimeve për rrugën alternative.
“Rruga do të hapet duke filluar nga dita e nesërme në orën 12:00. Gjatë kësaj periudhe, masat që morëm në këshillin teknik për devijimin e rrjedhës së lumit, që të mos godisnin më poshtë hekurudhës dhe me lehtësimin e trupit të rrëshqitur na shërbeu shumë për të bërë punën parapërgatitore që u bë gjatë këtyre ditëve, për të bërë të mundur hapjen e trafikut.
E theksoj se ishte e domosdoshme që punimet që do të nevojiten për rrugën alternative mbi lumin Shkumbin dhe në krah të hekurudhës, do të kërkojnë të paktën 6 ditë nga vlerësimet tona. Sepse bëhet fjalë për 80 mijë metër kub mbushje, 18 mijë metër kub mbrojtje lumore dhe 2800 ton shtresë asfalti. Këto shifra janë të nevojshme për t’u analizuar edhe nga ekspertë.
Segmenti i ri do të jetë i hapur për të gjitha mjetet. Rruga nuk ka shfaqur asnjë lloj cedimi. Kjo është edhe fryt i masave të marra gjatë këtyre ditëve, ku është devijimi i rrjedhës së lumit që na ka shmangur goditjen nga poshtë. Ai aks do të ketë një gjerësi prej 9 metër. Ne si Autiritet morëm vendim për pezullimin e punimeve në Korridorin VIII, deri në përfundim të punimeve për rrugën alternative”, tha mes të tjerash Kozeli.
Komente












Shume serioze dhe e sakte deklarata e drejtorit te ARRSH. Teknike dhe me sqarimet e nevojshme. Duhen mbeshtetur dhe i duhet dhene besim te rinjeve qe marrim persiper pergjegjesi te medha dhe po manaxhojne emergjenca kombetare.
Përgjigju