Bllokimi i juglindjes së vendit për shkak të shembjes së rrugës Librazhd-Prrenjas ka sjellë probleme për transportuesit e mallrave. Megjithatë siç bëhet me dije Maqedonia e Veriut do të lejojnë kthimin mbrapsht në Qafë Thanë të kamionëve si dhe do t'i pajisin me një dokument që të mundësohet kalimi në pikën e kalimit kufitar të Bllatës, nga ku më pas marrin rrugën e Arbrit për në destinacion.

Sipas njoftimit për mediat qarkullimi i kamionëve ka nisur që prej paradites së sotme (ora 10:00).

“Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, kanë njoftuar nëpërmjet Qendrës së Shkëmbimit të Informacionit, se prej orës 10.00, të ditës së sotme, kanë lejuar lëvizjen e mjeteve të tonazhit të rëndë (kamionë) për në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, në territorin e Maqedonisë së Veriut. Kamionët do të lejohen me të njëjtën tranzit dhe dokumentacion, gjithashtu edhe ato mjete që janë zhdoganuar do të lejohen të kalojnë dhe në rast se kanë të dëmtuar plumbosjen, do të ripajisen me të reja”, thuhet në njoftim.

Prej 4 ditësh më shumë se 40 kamionë mbetën të bllokuar në Qafë Thanë por edhe pranë Hotolishtit si pasojë e shembjes së rrugës në Dragostunjë. Një ditë më parë ata bënë edhe një  apel ndaj autoriteteve shqiptar që t’i ndihmonin pasi ndodheshin në situatë të vështirë.