Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka reaguar lidhur me shembjen e beach-barit CopaCabana Saranda, duke sqaruar procedurat që çuan në ndërhyrjen për prishjen e objektit.
Sipas njoftimit zyrtar, subjekti “CopaCabana Saranda” kishte kërkuar vetë më 25 tetor 2025 zgjidhjen e kontratës së qirasë për përdorimin e hapësirës së plazhit, si edhe heqjen dorë nga përdorimi i saj në vijim.
IKMT thekson se gjatë verifikimeve në terren janë konstatuar punime pa leje, duke hedhur poshtë pretendimet e avokatit të subjektit për ekzistencën e një lejeje të vlefshme ndërtimi.
Institucioni sqaron se edhe në rast se leja e përmendur nga subjekti do të ishte e vlefshme, ajo nuk kishte lidhje me situatën e evidentuar në terren dhe me volumin e punimeve të kryera, përfshirë ndërhyrjet në hapësirën detare.
Sipas IKMT-së, leja e miratuar nga KKTU në vitin 2025 parashikonte ndërtim me materiale të lehta dhe pa shtrirje në det, ndërsa strukturat e ngritura kishin tejkaluar parametrat e miratuar.
Përveç shembjes së objektit, IKMT ka bërë të ditur se ndaj subjektit “CopaCabana Saranda” është vendosur edhe një gjobë prej 11,680,054 lekësh.
Njoftimi i IKMT:
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) përmbylli sot në Sarandë ekzekutimin e vendimit për prishjen e një objekti të ndërtuar pa leje në breg të detit.
Bazuar edhe në referimin e bërë nga agjencitë ligjzbatuese për konstatimin e një ndërtimi të paligjshëm, inspektorët e IKMT-së qendër kryen një inspektim më datë 13.05.2026 në Sarandë, në subjektin “A.B.”, Lagjja nr. 1, Rruga Butrinti.
Në kushtet e flagrancës, në territorin në fjalë IKMT konstatoi: objekt 1-katësh me konstruksion metalik të pambuluar, i vendosur mbi platformë betoni me xoklaturë, me sipërfaqe 340 m²; platformë betoni me sipërfaqe totale 390 m²; brez dhe mure mbajtëse me sipërfaqe totale 12 m²; shkallë dhe sheshpushim betoni 53 ml; platformë dërrase e vendosur mbi konstruksion metalik; tuba me sipërfaqe 407 m², si dhe strukturë metalike me tuba të pambuluar me sipërfaqe 66 m²; objekt 1-katësh me konstruksion betonarme, i mbuluar, me sipërfaqe 22.8 m², pa leje ndërtimi.
Në momentin e njoftimit të procesverbalit të konstatimit, pala subjekt i inspektimit, e përfaqësuar nga avokati, nuk paraqiti asnjë dokument zyrtar justifikues mbi punimet e ndërtimit të kryera deri në atë moment.
Në këto kushte, IKMT procedoi me marrjen e vendimit nr. 0000034, datë 13.05.2026, “Për prishjen e objektit të kundërligjshëm”, si dhe vendimit nr. 0000125 për gjobitjen e subjektit me shumën 11,680,054 lekë. Më datë 14.05.2026, IKMT filloi ekzekutimin e vendimit të prishjes në terren dhe këto veprime u përmbyllën gjatë ditës së sotme.
Po sot, më datë 18.05.2026, avokati i subjektit paraqiti pretendimin se ekziston një leje ndërtimi e KKTU-së për strukturën në fjalë.
Pas verifikimeve të kryera, IKMT konstatoi se për zonën në fjalë rezultonte të ishte lëshuar një leje e KKTU-së me nr. prot. 3509/4, datë 05.08.2025, miratuar me vendimin e KKTU-së nr. 53, datë 28.05.2025, “Leje për strukturë shërbimi në stacionet e plazhit për objektin – Strukturë shërbimi”, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë dhe zhvillues subjektin “COPACABANA Saranda”. Sipas kësaj lejeje, sipërfaqja e parcelës së marrë me qira ishte 389 m², sipërfaqja e strukturës 60 m², sipërfaqja e platformës së sistemimit me strukturë hijezuese 110 m², ndërsa lartësia maksimale 3.5 m. Struktura parashikohej me materiale të lehta dhe pa shtrirje në det.
Ndërkaq, Agjencia Kombëtare e Bregdetit bën me dije se, më datë 25.10.2025, subjekti “CopaCabana Saranda” ka kërkuar me vullnetin e tij zgjidhjen e kontratës së qirasë për përdorimin e stacionit të plazhit nr. SR-41, me nr. prot. 1159, datë 17.04.2025, si dhe heqjen dorë nga përdorimi i saj në vijim. Në vijim të kësaj kërkese, Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka proceduar me zgjidhjen e kontratës së qirasë nr. prot. 1159, datë 17.04.2025, konfirmuar sipas shkresës nr. prot. 3291/1, datë 27.10.2025, drejtuar subjektit “CopaCabana Saranda”.
Në përfundim, rezulton qartësisht se subjekti po kryente ndërtim pa leje në kushtet kur nuk gëzonte të drejtën e përdorimit të kësaj hapësire dhe, rrjedhimisht, as të lejes së ndërtimit të dhënë nga KKTU-ja në vitin 2025 në funksion të së njëjtës kontratë.
Edhe në rast se pretendimi i subjektit për ekzistencën e kësaj lejeje do të ishte i saktë, leja e lëshuar nga KKTU-ja, e cituar nga subjekti, nuk ka asnjë lidhje me situatën e evidentuar në terren, me llojin dhe volumin e punimeve të paligjshme të kryera, përfshirë edhe hapësirën detare.
Lajmi kryesor:
VIDEO/ Shembet beach bar-i ‘Copacabana’ i lidhur me krimin në Sarandë, IKMT: Punimet pa leje, pronarja hoqi dorë nga shfrytëzimi i plazhit! 11.7 mln lekë gjobë








