Një shpërthim i fuqishëm që dyshohet të ketë ardhur si pasojë e rrjedhjes së gazit ka bërë që kjo godinë 2-katëshe në lagjen Plaka në Athinë, të shembej duke lënë pas një bilanc tragjik me 6 viktima, mes të cilëve 3 shqiptarë. Këta të fundit janë identifikuar si Florida e Florin Hoxha (motër e vëlla) si dhe Eris Cani. Mes viktimave është edhe bashkëshorti i Florida Hoxhës, Ian Alexander Kirpatrick, shtetas amerikan, si dhe Edmond Hings e Athina Papapresku, pronarët e ndërtesës.
Sipas raportimeve të mediave greke, shpërthimi ka ndodhur pak para orës 7:30 të mëngjesit të së premtes, në rrugën Lysikratous, në një nga zonat më të vizituara të Athinës. Shpërthimi shembi një pjesë të godinës dhe zuri nën rrënoja të gjashtë personat që ndodheshin brenda. Vala goditëse dëmtoi ndërtesat përreth, theu xhama dhe goditi automjete të parkuara pranë vendngjarjes.
Autoritet greke kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat dy trupat e fundit të shtunën rreth orës 13:30. Dy shqiptarët që kanë mbetur të pajetë si pasojë e shëmbjes së godinës janë motër e vëlla, të identifikuar si Florida e Florin Hoxha si dhe Eris Cani, shqiptaro-amerikan. Pista kryesore e autoriteteve vijon të mbetet ende rrjedhja e gazit, megjithatë po vijon ende puna për gjetjen e shkakut real të këtij shpërthimi.
Shpërthimi preku edhe një godinë ngjitur, nga e cila zjarrfikësit shpëtuan dy gra të lënduara lehtë. Një kalimtar u lëndua nga gurët e shpërndarë. Disa ndërtesa pranë vendngjarjes kanë pësuar dëme serioze dhe po kontrollohen për të përcaktuar nëse janë të banueshme. Në operacion morrën pjesë 30 zjarrfikës, të ndihmuar nga qen kërkimi, kamera dhe pajisje që zbulojnë tingujt nën rrënoja.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas shpërthimit tragjik të ndodhur në Athinë, ku humbën jetën 6 persona, 3 prej të cilëve shqiptarë.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, Ministria e Jashtme u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave.
Ministria e Jashtme ka shkruar se qëndron në solidaritet të plotë me familjet e prekura, me fqinjët grekë dhe popullin amerikan (pasi njëri prej viktimave ishte me shtetësi amerikane).
Regimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme:
Jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja tragjike e jetëve pas shpërthimit dhe shembjes së ndërtesës në Athinë, me raportime se tre persona me origjinë shqiptare janë midis viktimave. U shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjeve dhe të dashurve të të gjithë atyre që humbën jetën. Mendimet tona janë me ta në pikëllimin e tyre dhe u urojmë të plagosurve shërim të shpejtë dhe të plotë. Kjo tragjedi e prek nga afër Shqipërinë. Ne ndajmë pikëllimin e familjeve të prekura dhe shprehim solidaritetin tonë me fqinjët tanë grekë dhe popullin amerikan.

Të tjera detaje kanë dalë nga tragjedia me 6 viktima në Athinë, tre prej të cilëve janë shqiptarë.
Sipas burimeve nga mediat greke, mes viktimave nga tragjedia që ndodhi në zemër të Athinës janë Florida Hoxha dhe bashkëshorti i saj Ian Alexander Kirkpatrick, të cilët ishin martuar së fundmi, si dhe Eris Cani dhe bashkëshorti i saj, Florin Hoxha.
Katër të vdekurit kishin marrë me qira një apartament në katin e parë të ndërtesës. Tre prej tyre me origjinë shqiptare dhe Ian Alexander Kirkpatrick me shtetësi amerikane.
Një dimension edhe më tragjik i ngjarjes është fakti që Florida Hoxha dhe bashkëshorti i saj Ian Alexander Kirkpatrick, sipas asaj që zbuloi i afërmi i tyre, ishin në Greqi për muajin e mjaltit.
"Ndërtesa që u shemb në Plaka rreth 13 orë më parë besohet se ka strehuar kushërinjtë e mi, Ianin dhe Floridën. Ata janë në Greqi për muajin e mjaltit", shkroi i afërmi i tyre në një postim në rrjetet sociale, duke kërkuar informacion, pas lajmit se pasaportat me emrat e tyre ishin gjetur nën rrënoja.
Në të njëjtën kohë, mësohet se çifti tjetër që ishte me ta, Eris Cani dhe Florin Hoxha, prisnin një fëmijë.
Dy viktimat e tjera të tragjedisë janë çifti i të moshuarve që jetonin në katin e dytë të ndërtesës.
Ata janë Athena Paparescu dhe Edmond Hings, nga 77 vjeç, me origjinë britanike, sipas informacioneve të deritanishme.
Ndërkohë po zhvillohen hetime për shkaqet e sakta të shpërthimit vdekjeprurës, ku pista kryesore është ajo e rrjedhjes së gazit.
Megjithatë, ekspertët pritet të shqyrtojnë të gjitha të dhënat nga vendi i ngjarjes, për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi saktësisht incidentin tragjik.








Komente
Komento