Në shkollën profesionale “Mihal Shahini” në Cërrik u inaugurua sot ferma eksperimentale, një projekt i vënë në jetë nga MASHAV – Agjencia Izraelite për Zhvillim, që do të shërbejë si platformë edukimi, trajnimi dhe demonstrimi për nxënësit dhe fermerët shqiptarë.

Ferma e re u vizitua nga Kryeministri Edi Rama, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla dhe Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, të cilët u njohën nga afër me investimin e realizuar në bashkëpunim me MASHAV dhe me mbështetjen e Ambasadës së Izraelit në Shqipëri, në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Salla e cilësoi projektin si një investim të rëndësishëm për arsimin profesional dhe zhvillimin e bujqësisë moderne në vend.

“Ky projekt domethënës i shërben jo vetëm studentëve dhe pedagogëve, por edhe komunitetit dhe fermerëve të kësaj zone bujqësore,” u shpreh ai.

Ministri theksoi se investimet në sektorin bujqësor do të vijojnë jo vetëm në ujitje-kullim, por edhe në teknologji moderne dhe inovacion, ndërsa paralajmëroi prezantimin e një pakete të re për dixhitalizimin në bujqësi.

“Fermerët do të kenë në kohë reale informacionin e duhur se kur duhet të vadisin, kur duhet të plehërojnë dhe kur duhet t’u shërbejnë mbjelljeve,” deklaroi Salla, duke shtuar se teknologjia dhe sensorët inteligjentë do të vendosen shumë shpejt në funksion të fermerëve.

Ai nënvizoi gjithashtu se mbështetja për sektorin do të vijojë përmes paketës prej 52 milionë eurosh, masave të reja të AZHBR-së dhe skemës së kompensimit 10%.

“Ajo çfarë ne bëjmë është të shërbejmë çdo ditë fermerëve, duke qenë pranë tyre në terren dhe duke marrë çdo informacion për ta përkthyer atë në buxhete dhe ide,” theksoi ministri.

Gjatë fjalës së tij, Salla u ndal edhe te projektet inovative në zonë, si grumbullimi i mbetjeve bujqësore dhe kthimi i tyre në plehra organike, si një model që ul kostot për bashkitë dhe kontribuon për një mjedis më të pastër.

Ministri vlerësoi gjithashtu modelin e Cërrikut për ngritjen e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), duke theksuar se bashkia ka vënë në dispozicion të fermerëve dhoma frigoriferike, ambiente pune dhe të gjitha facilitetet e nevojshme për funksionimin e tyre.

“Ky është një model që duhet ta ndjekim nëpërmjet bashkive dhe që do të vijojë të shtrihet në të 61 bashkitë e Shqipërisë,” tha ai.

Në përfundim, Ministri i Bujqësisë bëri të ditur se bashkëpunimi me Izraelin do të zgjerohet edhe më tej përmes marrëveshjeve të reja për investime në sektorin bujqësor.

“Për pak ditë, së bashku me Ministrin e Bujqësisë së Izraelit, do të kemi një marrëveshje mirëkuptimi për investime në sektorin bujqësor, për ta çuar bujqësinë shqiptare në një tjetër hap, sipas modelit shumë të mirë izraelit,” u shpreh Salla.

Ferma eksperimentale në “Mihal Shahini” përfaqëson një model të ri të zhvillimit të bujqësisë moderne të ndërthurur me arsimin profesional. Projekti synon të krijojë mundësi konkrete për nxënësit dhe fermerët që të mësojnë dhe të aplikojnë në praktikë metoda bashkëkohore të kultivimit dhe menaxhimit bujqësor.

Objekti përfshin sera moderne të pajisura me sisteme inteligjente të kontrollit të klimës dhe ajrimit, sisteme të centralizuara ujitjeje, kultivim hidroponik, ambiente të dedikuara për blegtorinë, pajisje moderne bujqësore, si dhe hapësira për leksione dhe trajnime me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë.

Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës bujqësore në vend dhe zhvillimit të një bujqësie më efikase, më të qëndrueshme dhe më konkurruese, duke shënuar njëkohësisht edhe një kapitull të ri bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Izraelit.


Lajmi kryesor:

Cërrik/ Shkolla profesionale ‘Mihal Shahini’ ‘pasurohet’ me një fermë eksperimentale, Rama: Hap drejt modernizimit të infrastrukturës bujqësore