Bllokimi i juglindjes së vendit për shkak të prishjes së rrugës Librazhd-Pogradec ka sjellë probleme për transportuesit e mallrave. Në Qafë-Thanë janë në pritje rreth 40 kamionë. Për shkak të procedurave doganore, ata nuk mund të kalojnë tranzit në Maqedoninë e Veriut, për të hyrë në Shqipëri nga pika e Bllatës në zonën e Dibrës, ndërsa një pjesë tjetër është në pritje të autorizimit nga kompanitë e tyre për ndryshimin e itinerarit.
Dogana e Qafë Thanës ka dalë thuajse jashtë loje për kalimin e mjeteve të rënda që transportojnë mallra. Për shkak të bllokimit të aksit Përrenjas-Librazhd, një pjesë e kamionëve që kanë hyrë nga Greqia përmes pikës së Kapshticës, u detyruan të ndalojnë në Qafë-Thanë, për të shfrytëzuar kalimin në territorin e Maqedonisë së Veriut, drejt doganës së Bllatës, si një mundësi për t’u rifutur në territorin shqiptar drejt destinacionit fillestar.
Problemi për ta janë procedurat doganore, duke qenë se i kanë plotësuar më parë në hyrje dhe do të duhet t’i ribëjnë nga e para. Ata janë në pritje të një marrëveshjeje mes palës shqiptare dhe autoriteteve maqedonase që t’u njihet kalimi tranzit drejt Bllatës, duke shmangur ripërsëritjen e procedurave doganore.
Të pyetur nga Report Tv, disa kamionistë nga Turqia thonë së kanë ditë të tëra të bllokuar. Ata shprehen se janë përballur me mungesë ushqimi dhe uji, ndërsa njëri prej tyre në kushte aspak të lehta, shihet duke gatuar në mjetin e tij vaktin e fundit që i ka mbetur.
“Kemi që të dielën që presim këtu në të ftohtë. Duhet të hapet rruga që të çojmë ngarkesën. Po na mbaron ushqimi, sot me sa shoh është vakti i fundit se na mbaroi edhe buka edhe uji. Ne kemi problem të madh sa të na hapet rruga e të ikim", thotë një kamionist turk.
"Kemi 4 ditë që presim. Po na mbaron ushqimi, uji, e me sa di unë edhe 1 vakt kam e më pas do pi dhe kafen e fundit. Rrimë shtrirë brenda në kamion por edhe nafta po na mbaron, duhet të ikim poshtë të marrim naftë. Të presësh në këto kushte është e vështirë. Nga këtu do ikim në Durrës e me lejen e Zotit dalim nga Shqipëria sa të hapet rruga", thotë një kamionist tjetër.
Një pjesë tjetër, janë kamionë që kanë tentuar hyrjen në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut. Pasi kanë kryer procedurat në palën maqedonase, ata janë bllokuar në zonën neutrale pasi dogana dhe policia shqiptare nuk i ka lejuar kalimin, pasi destinacioni i tyre është i paarritshëm për shkak të bllokimit të rrugës.
Situata ka ndikuar dhe lëvizjet e tjera dhe sot pika e Qafë Thanës duket thuajse e vdekur.
DIBËR
Papritur, dogana e Bllatës, që lidh Dibrën me Maqedoninë e Veriut, e pa veten të ngarkuar nga fluksi i mjeteve, që po e përdorin si rrugë alternative për të hyrë në Shqipëri.
Dhjetëra mjete, sidomos kamionë të cilët kanë ardhur nga Maqedonia e Veriut janë në pritje për të kaluar më pas për në Rrugën e Arbrit dhe për t’iu drejtuar destinacionit të tyre. Nga 7-8 kamionë në ditë që kalonin më parë, sot numri ka arritur në rreth 50 kamionë në 24 orë, kryesisht me mallra importi dhe eksporti.
Radhët janë të gjata dhe sipas të dhënave, përgjatë 24 orëve ka pasur deri në 13 mijë hyrje dalje mjetesh. Pavarësisht se në këtë pikë kufitare po punohet me dy sportele në hyrje dhe dy në dalje nga pala shqiptare dhe ajo maqedonase, fluksi i lartë i mjeteve nuk po e ul dot kohën e pritjes.
Në konferencën për mediat në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, njoftoi masat e marra pas bllokimit të aksit Librazhd-Prrenjas.
"Që në momentin e krijimit të situatës, strukturat doganore kanë trajtuar me prioritet shqetësimin e bizneseve dhe pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve. Për të shmangur pengesat në procedurat doganore, janë orientuar alternativa të reja lëvizjeje përmes pikave kufitare: Bllatë (Dibër), për mallrat që hyjnë nga Republika e Maqedonisë së Veriut apo përmes saj; Kakavijë, për mallrat që hyjnë nga Greqia apo përmes saj.
Janë ndërmarrë masa për përforcimin e kapaciteteve logjistike dhe shtimin e personelit në degët kufitare Bllatë dhe Kakavijë, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar dhe përshpejtimin e procedurave, deri në normalizimin e situatës rrugore", tha Beja.
Ndër të tjera ai shtoi se pala maqedonase do të mundësojë në pikën e Bllatës, kalimin e kamionëve dhe trajlerave të ngarkuar nga ora 12:00–22:00; kalimin 24 orë të mjeteve pa ngarkesë dhe kalimin e produkteve agro që kërkojnë certifikim.
"Sa i përket mallrave që kanë hyrë tashmë në territorin doganor shqiptar përmes Qafë-Thanës dhe ndodhen në aksin e bllokuar apo në ambientet doganore, zgjidhja teknike e ofruar është përdorimi i regjimit të Transitit të Jashtëm (T1), sipas Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë. Ky regjim lejon tranzitimin e mallrave nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar.
Konkretisht, operatorët duhet të depozitojnë deklaratën doganore T1 në degën doganore Qafë-Thanë, me destinacion Bllatën (Dibër), si dhe të hartojnë një dokument transporti (CMR) për itinerarin e ri", theksoi ai.
Situata në pikën kufitare të Qafë Thanë paraqitet e rënduar edhe për drejtuesit e kamionëve, të cilët prej disa ditësh presin në radhë për të kaluar kufirin. Sipas disa kamionistëve turq, ata kanë dy deri në tre ditë që qëndrojnë të bllokuar, në pritje të lëvizjes së kolonës.
Ata shprehen se janë përballur me mungesë ushqimi, uji dhe kushte bazike, ndërsa situata bëhet edhe më e vështirë për shkak të qëndrimit të zgjatur në kabinat e kamionëve. Shumë prej tyre theksojnë se kanë familje dhe fëmijë që i presin në shtëpi, ndërsa vonesat e gjata u shtojnë stresin dhe pasigurinë.
Në kushte të improvizuara, një prej kamionistëve turq është parë duke gatuar pranë mjetit të tij, mes kamionëve të rreshtuar, duke u përpjekur të sigurojë një vakt të ngrohtë pas orëve të gjata të pritjes.
Kamionisti turk: U bë kaq kohë presim, kemi që të djelën po presim këtu, koha është e ftohtë. Duhet të hapet rruga që të çojmë ngarkesën. Po na mbaron ushqimi, sot me sa shoh është vakti i fundit se na mbaroi edhe buka edhe uji.
Pyetje: Sa mall keni?
Kamionisti turk: Atë nuk e di unë, e di firma. Ne kemi problem të madh sa të na hapet rruga e të ikim."
Pamjet tregojnë vështirësitë me të cilat po përballen drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, ndërsa radha vijon të lëvizë me ritme të ngadalta, rënduar edhe për drejtuesit e kamionëve, të cilët prej disa ditësh presin në radhë për të kaluar kufirin. Sipas disa kamionistëve turq, ata kanë dy deri në tre ditë që qëndrojnë të bllokuar, në pritje të lëvizjes.
"Kemi rreth 1 javë që presim. Na vjen keq por kemi familje. Unë kam 1 fëmijë 2 vjeç. Dmth fiks u bënë 4 ditë dhe po na mbaron ushqimi, uji, e me sa di unë edhe 1 vakt kam e më pas do pi dhe kafen e fundit. Rrimë shtrirë brënda në kamion por edhe nafta po na mbaron, duhet të ikim poshtë të marrim naftë. Të presësh në këto kushte është e vështirë. Nga këtu do ikim në Durrës e me lejën e Zotit dalim nga Shqipëria sa të hapet rruga", shprehet një kamionist tjetër.
Komente












