Pas shembjes së një pjese të aksit rrugor Ersekë - Korçë ditën e djeshme, kanë ardhur dhe reagimet e para.

Avokati Esmerald Xhafa, ka ngritur një kallëzim penal në SPAK ndaj ARRSH, Bashkinë e Kolonjës si dhe kompanive A.N.K dhe A&E ENGINEERING, që po kryejnë punimet në rrugë, për veprat penale: "Shpërdorimi i detyrës", "Falsifikim i dokumentave" dhe "Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike".

Mësohet se përveç projektit, Xhafa ka bashkangjitur dhe pamje filmik ku fakton punimet me cilësi të dobët dhe ndërtimin i cili është bërë ndryshe nga projekti.

Pronari i kompanisë A.N.K rezulton me 100 % të aksioneve Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS, Ndue Kola, i cili ka përfituar tenderin për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë. Ndërkohë kompania A&E ENGINEERING, është në pronësi të Entela Çanos, me 100% të aksioneve, kompania e së cilës do të bënte mbikqyrjen e punimeve.

Aksi rrugor Korçë - Ersekë loti i dytë pjesa e parë, ka nisur të ndërtohet në vitin 2020, ndërsa në vitin 2022 u kërkua një financim shtesë prej afro 2.1 miliard lekësh. Ndërkohë mëngjesin e djeshëm, një pjesë e këtij akti është shkatërruar plotësisht duke rrezikuar jetën e kalimtarëve.

Prej ditës së djeshme qarkullimi është zhvendosur në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë. I gjithë aksi rrugor Korçë - Ersekë i nisur prej vitit 2013 ka kushtuar deri tani më shumë se 60 milion euro dhe ende punimet nuk kanë përfunduar në të gjithë lotet e tij.

Aksi Korçë Ersekë ishte parashikuar që të përfundonte së ndërtuari në qershor të këtij viti.

Aktualisht aksi rrugor Korçë-Ersekë, ka një gjatësi prej 45 kilometrash, ndërsa me përfundimin e segmentit të ri distanca shkurtohet në 35 kilometra.

Kallezimi penal

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:42
Shembje masive në rrugën e re Korçë-Ersekë! A.N.K fituesja me flamur të kuq, kompania e vëllait të ish deputetit PS! Me A & E ENGINEERING fituan me ofertën gati sa fondi limit

Traseja e rrugës Korcë-Erseke, e cila është në ndërtim pësoi shembje mesditen e 17 shkurtit 2024, në vendin e quajtur ‘Qafa e Qarrit – Mollas’.  Kantieri për ndërtim e rrugës së re është hapur në vitin 2020 dhe ARRSH-ja ende e ka marrë në dorëzim.

Kontrata për ndërtimin me fituesi kompaninë A.N.K në pronësi 100% nga  Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS, Ndue Kola u nënshkrua më 10 qershor 2022. Fituesha rezulton me Flamur të kuq në portalin prokurime të hapura.

Shkak është bërë fakti se janë skualifikuar tre kompanitë pjesëmarrëse “4 A-M”, “GENER 2”,  “GJOKA KONSTRUKSION”. Ata janë skualifikuar pasi nuk përmbushin kërkesat për kualifikim të përcaktuara në dokumentat standarte te tenderi.

Ofera fituese ishte mbi dy miliarde lekë, saktësisht  2 164 693 349,00 lekë, është gati sa fondi limit, 2 165 325 695,00, leke indicie kjo për një pazar të mundshëm.

Në 15 tetor 2020, u shpall fitues kompaninë A & E ENGINEERING, me pronare Entela Çano, për mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, loti i dytë pjesa e parë. Oferta fituese në lekë është 18,720,000 gati sa fondi limit 18 920 121,00. Fituesja nuk rezulton me flamur të kuq.