Një ditë pas bërjes publik të rastit të dëmtimit të një pjese të trotuarit në rrugën Pogradec - Qafë Plloçë, autoritetet kanë nisur punën për riparimin e situatës. Duke qenë se ndërtimi është brenda garancisë së punimeve, është kompania ndërtuese Avdyli shpk ajo që do kryejë rikonstruksionin. Ditën e sotme i pranishëm në inspektim ka qenë nën prefekti Luan Maxhari dhe nën kryetari i Bashkisë Paskalino Ziko.

Ky i fundit u shpreh se punimet për riparimin e trotuarit do të përfundojnë brenda javës, ndërsa rrjeti i ndriçimit ka rënë preh e vjedhësve të rrjetit, te cilët tani janë ndaluar nga policia, por pritet që bashkia të nis rilidhjen e ndriçimit.

Përveç dëmtimit të trotuarit, ky aks prej muajsh është pa ndriçim, ndonëse kalon mes zonave të banuara, duke rrezikuar seriozisht jetën e këmbësorëve.

Sipas të dhënave, rikonstruksioni i rrugës, zgjerimi i korsive, vendosja e trafikndarësve, trotuareve dhe sistemi i ndriçimit përfunduan si investim në shtator të vitit 2018.

Aksi Pogradec-Qafë Plloçë njihet prej vitesh si një nga “njollat e zeza” të juglindjes sa i përket aksidenteve rrugore.