Mjekësia në Shqipëri mbetet një dështim i plotë e ky dështim është pasojë, jo vetëm e sistemit të shëndetësisë që në parim është publik, por në praktikë shikojmë pafundësisht thirrje për fonde që kërkojnë personat e dëshpëruar për tu kuruar. Në dy vitet e fundit ky fenomen është rritur shumë e mjafton të shikosh facebook.

Megjithatë, nuk është vetëm shëndetësia një dështim, por rrogat, mirëqenia, papunësia në rritje dhe një sistem i dështuar i kontributeve shoqërore. Kështu siç është realiteti sot, pothuajse asnjë pensionist nuk mund të përballë kurimin e tij për ndërhyrje të vështira, por për fat të mirë shumë prej tyre kanë fëmijët që ua mundësojnë. Me 100 euro pension, pensionistët nuk blejnë dot as rrobat që ju duhen gjatë qëndrimit në spital dhe të kos flasim pastaj për ilaçe apo gjëra të tjera të domosdoshme! Shqipëria nuk ka as sistemin italian krejtësisht falas, por nuk ka as  mundësinë apo standardet e SHBA për ta përballuar me pagesë.

Reforma në shëndetësi dhe ajo e sigurimeve shoqërore mbetet sfida më e madhe e çdo qeverisje në Shqipëri. Një gjë është e sigurt fjalën "Falas" duhet ta heqin nga shëndetësia shqiptare, sepse në fakt asgjë nuk është falas! Para ca kohësh pata mundësinë të hyja tek Spitali Ushtarak, pas thuajse 20 vitesh dhe asgjë nuk kishte ndryshuar. Ngjante me një spital të një vendi në gjendje lufte! Qytetarët/pacientët përballonin vapën me ventilatorë që çdo dhomë kishte të paktën tre, nuk e di nëse familjarët i kishin blerë vetë apo jo.

Ps. Për operacionet është më mirë të ketë një tarifë shtetërore të afishuar e kështu pacientët të bëjnë llogaritë nëse mundet ta përballojnë financiarisht ose të pranojnë fatin që ju ofron patologjia!