Një kompani me humbje të deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, që e kishte pezulluar më parë aktivitetin e saj, por e ka rihapur më pas, e gjen veten “miliardere” pas vendimit të dikasterit të Shëndetësisë për t’i akorduar asaj dhe partnerëve të saj një koncesion me vlerë afro 100 milionë euro.

Ashtu si edhe koncesionet e tjera të dhëna nga kjo ministri, edhe këtë herë ka ngjallur dyshime përzgjedhja e subjektit, kohëzgjatja shumë e madhe (10 vjet) e koncesionit, por edhe emra të aksionerëve apo subjekteve të përfshirë në konsorcium. 
 
Koncesioni
Administrimi i shërbimit laboratorik të spitaleve nga kompani private për një periudhë 10-vjeçare është koncesioni i katërt që jepet kështu nga Ministria e Shëndetësisë në qeverinë Rama, pas atyre të check up-it, hemodializës dhe sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Në buxhetin e vitit 2017, qeveria deklaroi se kostoja totale e katër koncesioneve parashikohej të kapte vlerën e 40 miliardë lekëve në 10 vjet, ose 320 milionë dollarë.

Në dhjetor 2016, Ministria e Shëndetësisë shpalli tenderin për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiakë të Sarandës dhe Lushnjes (18 laboratorë gjithsej), pavarësisht protestave të mjekëve dhe laborantëve, akuzave të opozitës dhe kundërshtive brenda mazhorancës.

Sipas njoftimit të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, vlera e kontratës për 10 vitet e koncesionit përllogaritej të ishte mëse 13 miliardë lekë pa TVSH. “Kërkohet që laboratorët të çertifikohen ndërkombëtarisht me standarte europiane që nuk i kanë sot,” u shpreh Beqaj. “Është kusht i atij që do të pranojë të lidhë kontratë me ne, që këtë gjë ta bëjë brenda kohës optimale kur do shtrihet në të gjithë Shqipërinë,” shtoi ai.

Partia Demokratike e opozitës e cilësoi si një procedurë dhe praktikë korruptive këtë koncesion, duke akuzuar se “nuk ka asnjë model të ngjashëm në botë”. Por koncesioni i laboratorëve u kontestua madje edhe nga aleatja qeveritare LSI, e cila paraqiti një amendament kundër tij në ligjin për buxhetin e vitit 2017, nëpërmjet kreut të atëhershëm të grupit parlamentar Petrit Vasili.
 
Procedura
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, drejtuar nga Raimond Cimbi, ka shpallur si fituese në garën për këtë koncesion bashkimin e operatorëve ekonomikë Labopharma Sh.p.k, e cila mban 41.7 për qind të aksioneve të konsorciumit, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solutions 33.3%.

Ministria ka bërë me dije se oferta e këtij grupimi biznesesh është pranuar dhe se tashmë ky i fundit duhet të paraqesë dokumentacionin shtesë që kërkohet për fazën e dytë. Labopharma, që është edhe pika e referencës e konsorciumit, përfaqësuese e tij, ka arritur të fitojë mes nëntë operatorëve, që shfaqën interes për garën.

Labopharma ofroi zbritje 10.7 për qind nga çmimi i listës së testeve. Acibadem ofroi me 4.80%, American Hospital Sh.a nuk ka paraqitur vlerë, Biometric Albania Sh.p.k nuk ka paraqitur vlerë, Montal Sh.p.k nuk ka paraqitur vlerë, Genius Sh.p.k ofroi 15% zbritje nga çmimi i listës së testeve, Intermedica Center Sh.p.k dhe Bioiatriki Sh.a, 5.70% zbritje, ndërsa Fedos Sh.p.k dhe Krijon Sh.p.k sërish nuk paraqitën vlerë.
 
Partnerët e huaj
Exalab France është një grupim rajonal i laboratorëve të pavarur klinike në Francë, sipas faqes zyrtare në Internet. Ajo ka 500 bashkëpunëtorë dhe teknika bakterologjike.

Platforma teknike e laboratorëve të centralizuara është e pajisur me pajisje më efikase për të siguruar rezultate të besueshme, të shpejtë dhe të saktë, sipas burimeve zyrtare. Ndërsa për kompaninë AB Laboratory Solutions B.V., me seli në Holandë nuk ka të dhëna në internet, përveç adresës.

Dy kompanitë AB Laboratory Solutions B.V dhe Exalab France ende nuk janë regjistruar në QKB shqiptare.
 
Kompania
Ndërkohë që edhe kompania holandeze nuk sjell një CV pozitive, CV e kompanisë shqiptare fituese, që del edhe si përfaqësuese e konsorciumit, është edhe më problematike.

Labopharma sipas ekstraktit të saj në QKB është krijuar në vitin 2007. Aksioneri i saj me 100% të aksioneve është Janis Karathano. Kompania ka si aktivitet tregtinë e produkteve farmaceutike, pajisjeve të laboratorëve etj.

Në vitin 2015 qarkullimi i saj vjetor është rreth 137 mijë euro, ndërsa humbja është rreth 160 mijë euro po për atë vit, sipas bilancit zyrtar. Shoqëria ka qenë e pezulluar deri në gusht 2015 dhe më pas është bërë sërish aktive.

Periudhën më të mirë e ka pasur në vitin 2009, kur deklaroi rreth 730 mijë euro xhiro dhe fitime prej 240 mijë euro, por më pas aktiviteti i saj ka ardhur në rënie dhe në fillim të vitit 2015 bëri kërkesën për pezullim, pasi në viti 2014 kishte raportuar zero të ardhura.

Sipas bilancit të vitit 2015, aktivet e kompanisë ishin rreth 405 mijë euro, nga të cilat gati 80% ishin afatshkurtra, kryesisht të drejta të arkëtueshme. Në aktivet afatgjata, vlera e instalimeve dhe pajisjeve është 4 mijë euro dhe 76 mijë euro të tjera janë parapagime për aktive materiale dhe në proces. Kapitali i saj është negativ prej minus 170 mijë euro, si rrjedhojë e bartjes së humbjeve në vite.

laboratoret
 
Lidhjet
Labopharma është themeluar në vitin 2007 me aktivitet në import-eksportin e produkteve farmaceutike dhe zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga Jani Karathano, i cili rezulton, gjithnjë sipas deklarimeve të bëra në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ortak i vetëm edhe i subjektit ‘Pegasus’ shpk, ku ka drejtuar nëna e drejtores aktuale të drejtorisë së Farmaceutikës pranë ministrisë së Shëndetësisë, Shpresa Bello.

“Pegasus” rezulton e pranishme në disa nga koncesionet shumë-miliardëshe, të dhëna vitet e fundit nga ana e ministrisë në fjalë, duke përfshirë edhe check up-in shëndetësor në mbarë vendin, përmes një këmbimi shërbimesh dhe materialesh. Po edhe koncensionin 2016-2018 për transfuzionin e gjakut, me një vlerë gati 1 milion euro.

Pritet që ministria të sqarojë se pse, në një sektor ku operojnë subjekte të fuqishme, dalin në pah subjekte të dyshimta dhe të njejtët emra si përfitues të tenderave me shifra të larta nga buxheti i shtetit. 


dy.b/shqiptarja.com