Shëndeti i gruas, nënës dhe të porsalindurve ishte në vëmendjen e kongresit ndërkombëtar “Avancimet në obstetrikë-gjinekologji dhe ultra-tinguj". Me anë të ligjëratave të mjekëve, ky kongres synon të ofrojë një profesionalizëm të lartë klinik  në fushën e shëndetit të gruas.

"Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë është që të azhornojë gjithë mjekët dhe stafin që punon në këtë sektor me të rejat më të fundit të shkencës në fushën e obstetrikës, në fushën e gjinekologjisë, në fushën e onkologjisë gjinekologjike, të mjekësisë riprodhuese dhe të teknikave të riprodhimit të asistuar. Sigurisht që këtë rradhë, në ndryshim nga herët e tjera është bërë një bashkim i shoqatave më të rëndësishme që punojnë në këtë sektor jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë",- tha për Report Tv Prof. Orion Gliozheni, president i Shoqatës Shqiptare të Perinatologjisë

Por në cilin stad është vendi ynë në këtë fushë?

"Shqipëria ka bërë hapa galopantë, ktahasuar me vite më parë. Mortaliteti perinatal ka një ulje të ndjeshme. Sigurisht nuk jemi akoma atje ku duhet të jemi, por progresi është padyshim shumë i madh.  Na mbetet shumë për të bërë, ndaj azhornimi me të rejat, na bën që të ecim edhe ne me ritmin e kohës",- u shpreh Prof. Orion Gliozheni, president i Shoqatës Shqiptare të Perinatologjisë

E pranishme në Kongres zëvendësministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli e cilësoi atë si  të nevojshëm, pasi trajton tema bashkëkohore të cilat trajtojnë problem që hasen edhe në vende të tjera në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë.

"Natyrisht unë duke qenë edhe mjeke dhe duke parë temat që po trajtohen në këtë konferencë jam ndjerë me të vërtetë mirë, sepse janë tema bashkëkohore që trajtojnë probleme me të cilat përballet shërbimi obstetrik-gjinekologjik kudo në Europë. Në rradhë të parë si qytetare e këtij vendi, si grua pastaj edhe si pjesë e stafit politik që merret me problemet e zhvillimit të nënës dhe fëmijës ndihem shumë mirë dhe shumë krenare që në Shqipëri zhvillohen tema të këtij niveli edhe në prezencë të të huajve që kanë ardhur këtu dhe që po japing vlerësimet e tyre maksimale",- tha Zv. ministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli

Standardizimi i kujdesit shëndetësor, përmirësimi i sëmundjeve dhe vdekshmërisë maternale e perinatale ishin disa prej objektivave të këtij kongresi.