2 milje nga bregdeti i Shëngjinit, 7 turistë të cilët po lundronin me një varkë me pedale, kanë kërkuar ndihmën e policisë pasi varka e tyre po fuste ujë dhe u rrezikohej jeta. Menjëherë është vënë në lëvizje Policia Kufitare e Shëngjinit, e cila ka arritur t’i nxjerrë në breg. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20 të mbrëmjes së sotme.
“Rreth orës 19:40, është telefonuar Salla Operative e Stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin, për të kërkuar ndihmë, pasi në det të hapur, në vendin e quajtur "Rana e Hedhun", kishin mbetur disa shtetas që ishin futur në det me një pedalon, me të cilin nuk po ktheheshin dot në breg. Menjëherë në ndihmë të tyre, janë nisur shërbimet, me mjetin lundrues të Policisë Kufitare Shëngjin, të cilët kanë konstatuar se rreth 2 milje larg bregut, në det të hapur, ishte një mjet lundrues pedalon, me 7 shtetas në të, që ishte bllokuar në det dhe nuk lëvizte pasi kishte filluar të fuste edhe ujë në brendësi. Shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin i kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë Kufitare, 7 pushuesit, të cilët ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, është bërë e mundur edhe nxjerrja e pedalonit të tyre, në breg”, ka njoftuar Policia Kufitare e Shëngjinit, e cila në fund ka këshilluar të gjithë pushuesit që t’i përdorin mjetet lundruese sipas rregullave të përdorimit të tyre, për të mos rrezikuar jetën.