BRUKSEL, 2 mars /ATSH-DPA/ - Spanja dhe Portugalia iu ankuan Bashkimit Evropian rreth komenteve të bëra nga kryeministri grek, Aleksis Cipras, i cili akuzoi dy vendet për komplot kundër qeverisë së tij.
"Komisioni Evropian ka marrë një ankesë të shkruar ku i kërkohet të komentojë lidhur me këtë çështje", deklaroi sot një zëdhënëse.
Ky zhvillim vjen pas negociatave të tensionuara lidhur me zgjatjen e ndihmës për Greqinë dhe mund të përkeqësojnë më tej marrëdhëniet mes Athinës dhe partnerëve të asaj evropianë. Prej kohësh ka patur shqetësime e krijimi i tensioneve mund të çojë në falimentimin e Greqisë apo daljen e saj nga eurozona.
Kryeministri grek, Aleksis Cipras, i cili u zgjodh janarin e kaluar me premtimin për një platformë për shpëtimin e vendit, deklaroi në fundjavë se Spanja dhe Portugalia kishin udhëhequr një lobim që negociatat me Greqinë të dështonin.
"Plani i tyre ishte, dhe mbetet i tillë, që ta çonin qeverinë tonë në një dorëzim pa kushte, përpara se puna jonë të jepte frutat e saj të para dhe përpara se shembulli grek të ndikonte në shtete të tjera", deklaroi Cipras në një takim të partisë së tij, SYRIZA.
Këtë vit, edhe Spanja edhe Portugalia zhvillojnë zgjedhje parlamentare. Qeveria konservatore e Madridit po përballet ashpër me kërcënimin e aleates më të ngushtë të SYRIZA-s në Evropë, që është partia radikale spanjolle kundër masave shtrënguese Podemos (Ne mundemi).
Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy kundërshtoi menjëherë pretendimet e Ciprasit duke thënë dje se "duke kërkuar armiq të jashtëm kryeministri grek po riluan lojën e vjetër", në ndërkohë që Cipras ka marrë kritika të ashpra edhe brenda partisë së tij për çështjen e zgjatjes së ndihmës së huaj financiare.
"Spanja dhe Portugalia nuk ishin vende që mbajtën një qëndrim të ashpër gjatë negociatave me Greqinë", deklaroi sot ministri spanjoll i Ekonomisë, Luis de Guindos.
Komentet e Ciprasit ndeshën edhe me mosaprovimin gjerman, një nga kontribueset kryesore të 240 miliardë eurove që Greqia ka marrë që nga viti 2010.
"Në nivel evropian, kjo ishte një shkelje jo e zakonshme e rregullave. Ne nuk e bëjmë këtë gjë në Eurogrup", deklaroi ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble.
Komisioni Evropian refuzoi të mbante menjëherë një qëndrim.
"Ne jemi në kontakt me të gjithë aktorët e përfshirë dhe po punojmë që të ndërtojmë ura dhe të bashkojmë palët me njëra-tjetrën", tha zëdhënësja Mina Andrejeva.
"Ajo që vlen përtej të gjitha deklarateve publike është fakti që Greqia të zbatojë menjëherë dhe me vendosmëri reformat e premtuara", theksoi ajo.
Shefi i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem tha se ca para' mund të jenë gati në mars nëse Athina fillon t'i bëjë gjërat të funksionojnë.
"Nëse shpenzojmë dy muaj duke biseduar dhe duke mos bërë asgjë, atëhere në fund të prillit do të kemi probleme të mëdha", tha Dijsselbloem për "Financial Times".
"Në mars mund të jetë disbursimi i parë, por kjo do të kërkojë progres dhe jo vetëm qëllim", theksoi ai./ A.JOR.












