TIRANË - Dy jetë të humbura vetëm në 10 orët e fundit të prekur me koronavirus në Shqipëri.  Një 71-vjeçar nga Kuçova ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në spitalin Infektiv në QSUT, ndërkohë mëngjesin e sotëm, ndbrroi jetë një 43-vjeçar nga Kavaja, ndërsa një 61-vjeçar nga Tirana i raportuar nga Ministria e Shëndetësisë i pajetë, në fakt ka pësuar vdekje klinike dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

71-vjeçari nga Kuçova i infektuar me koronavirus ishte trajtuar më herët në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”. Prej 7 ditësh ai ishte shtruar në spitalin Infektiv pasi u infektua edhe me koronavirus, nuk bënte pjesë tek pacientët që ishin në terapi intensive, por gjatë mbrëmjes pati një komplikacion të menjëhershëm kardiak arterial, që i mori jetën. 71-vjeçari sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vuante nga disa sëmundje shoqëruese, kanceri në mushkëri, në stad tejet të avancuar, diabeti mellitus, fibrilacioni arterial dhe hipertensioni.

43-vjeçari nga Kavaja  ndodhej në terapi intensive. Por pas rëndimit të gjendjes shëndetësore gjatë mbrëmjes u vendos në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk mundi të mbijetojë. Edhe 61-vjeçari ishte në terapi intensive dhe pas problemeve që iu shfaqen u vendos në respirator, ku në mëngjes pësoi vdekje klinike. Ai ka sëmundje bashkëshoqëruese, e ndërsa 43-vjeçari nga Kavaja, përveç obezitetit, nuk vuante nga sëmundje të tjera. 

Ministria e Shëndetësisë në një reagim për mediat, "u shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerëve dhe apelon dhe një herë qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e distancimit social dhe të telefonojnë 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes".

Më 11 mars ndërroi jetë një 73-vjeçare nga Durrësi, ndërsa në 18 mars një 66-vjeçar nga Lushnja. 

Ndërkohë që dje Shqipëria regjistroi numrin më të lartë të të prekurve me koronavirus gjatë 24 orëve, që nga dita ku u konfirmua pacienti 'zero', që u shërua bashkë me dy persona të tjerë, një prej të cilëve i ati i 28-vjeçarit. Nga 33 teste të kryera dje, 13 raste u konfirmuan pozitiv duke e çuar në total në 89 të infektuar. Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se mosha mesatare e personave që kanë rezultuar pozitiv në Shqipëri është 48 vjeç, e ndërsa ajo e pacientëve të shtruar në spital, 54-vjeç. Për të parandaluar përhapjen vendi është në karantinë totale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:58
Pëllumb Pipero: Pacienti 61-vjeçar kaloi në vdekje klinike, mjekët nuk humbën shpresën, e rikthyen në jetë (VIDEO)

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero dha detaje mbi pacientin e shtruar në Spitalin Infektiv që këtë mëngjes pësoi vdekje klinike. Piperi tha se mjekët arritën ta kthejnë në jetë, por sërish ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

"Situata në shërbimin e sëmundjeve infektive është shumë dinamike, sa i takon shtrimeve të rasteve të reja, ndjekjes në dinamikë të rasteve të shtruara në të në të gjitha pavionet. Kemi më shumë se 40 të shtruar në spital. Secili ka problematikën e tij në varësi të moshës dhe sëmundjeve kronike. Kemi raste që janë relativisht mirë dhe shpresojmë nga dita në ditë t'i nxjerrim, kemi raste të rënda, kemi dhe raste shumë të rënda sikundër janë pacientët e shtruar në repartin e terapisë intensive, midis të cilëve njëri nga rastet sot në mëngjes ka bërë vdekje klinike, vdekje që zgjati relativisht gjatë, por pa e humbur shpresën e mjekëve për ta kthyer atë në jetë, fatmirësisht u kthye në jetë, por vazhdon të jetë ende rëndë. Në këtë lloj dinamike të zhvillimit të pandemisë në vendin tonë, të rasteve të shtuara dhe të konfirmuara çdo ditë, i them qytetarëve të jenë të duruar, të qëndrojnë sa më gjatë në shtëpi dhe mjafton të telefonojnë 127", tha Pipero.

Ora 11:17
Ministria e Shëndetësisë njoftim urgjent, u raportua i pajetë por 61-vjeçari pësoi vdekje klinike

Ministria e Shëndetësisë ka bërë një reagim urgjent duke sqaruar se 61-vjeçari i raportuar i vdkur me COVID-19, ka pësuar vdekje klinike. Pra 61-vjeçari nga Tirana nuk ka ndërruar jetë, por ndodhet në vdekje klinike, në gjendje të rëndë.

"Pacienti 61-vjeçar i raportuar nga spitali infektiv ka pësuar vdekje klinike, mjekët përpjekje të jashtëzakonshme për ta kthyer në jetë! Por gjendja mbetet tepër e rëndë!", njofton ministria e Shëndetësisë. 

Ora 09:54
Ministria e Shëndetësisë: Shënohet viktima e pestë në Shqipëri me koronavirus

Pak pas ndarjes nga jeta të 41-vjeçarit nga Kavaja, Ministria e Shëndetësisë njoftoi ndarjen nga jeta mëngjesin e sotëm tënjë pacient 61-vjeçar i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ndodhej në terapi intensive.

61-vjeçari nga Tirana është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë. 61-vjeçari kishte sëmundje bashkëshoqëruese.

61-vjeçari është viktima e pestë i prekur nga COVID-19 në Shqipëri.