Shëngjini do te jetë gati për sezonin turistik brenda fillimit të muajit maj. Prej ditësh ka nisur ndërhyrja për pastrimin dhe sistemimin e rërës e më pas do të vijohet me plugimin e saj.

Paralelisht po punohet dhe ne sistemimin e ambienteve të gjelbra përgjatë shëtitores së plazhit, më qëllim krijimin e një ambientit sa më atraktiv për pushuesit.

“Përgatitjet kanë filluar prej kohësh. Do bëjmë të mundur largimin e rërës nga shëtitorja. Bëjmë krasitjen, prerjen e barit. Do fillojmë dhe me plugimin e rërës. Në zona publike është bërë pastrimi i rërës”, tha Brahim Demi, administrator i Shëngjinit.

Rritja e cilësisë së shërbimeve kryesisht sa i përket pastërtisë do të jenë në fokus të këtij sezonit turistik thotë administratori i Shëngjinit Brahim Demi.

“Ne si bashki do marrim mbetjet e riciklueshme. Do shtohen forca punëtore për të bërë menaxhimin sa më të mirë të sezonit turistik”, tha Demi.  

Referuar prenotimeve, pritshmëritë e operatoreve janë për sezon turistik të suksesshëm, ndërsa i vlerësojnë si domosdoshmëri ndërhyrjet që po kryhen.

“Kjo ndërhyrje ka qenë e domosdoshme. Rërën e kemi flori. Presim që edhe ky vit të shkoje mirë si vitet e kaluara”, tha Ben Lekaj, operator turistik.

“Shumë pastërti e madhe. Inshallah shkon mbarë”, shprehet Nuriman Hasani, operator turistik.  

“Ka filluar sezoni më herët se vitet e tjera. E vetmja gjë që frikësohemi janë punimet e elektrikut. Për punë tjera jemi mirë. Vit për vit kemi pasur ndryshime për mirë”, thotë Sokol Maluta, operator turistik.

Zona turistike ka njohur zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë viteve të fundit dhe  këtë e dëshmon numri i pushuesve dhe turisteve i cili ka ardhur gjithnjë në rritje.