TIRANË, 9 Dhjetor/ATSH-Z.Tosku/- Janë 150 pacientë gjithsej, që do të përfitojnë shërbime të kardiologjisë pa pagesë në spitalet jopublike, të cilët do të shpërndahen në mënyrë të barabartë në pesë spitalet që kanë lidhur kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Pacientët që vuajnë nga sëmundje të zemrës kanë nisur tashmë të përfitojnë shërbime shëndetësore pa pagesë edhe në spitalet jopublike. Pas fillimit të zbatimit të paketës së kontrollit bazë shëndetësor pa pagesë për shtetasit rezidentë të grupmoshës 40-65 vjeç, ka nisur kështu rrugëtimin edhe zbatimi në terren i angazhimit tjetër themelor të programit qeverisës për sistemin e kujdesit shëndetësor në vend.
Gjatë vizitës që zhvilluan sot në Spitalin jopublik Evropian të Tiranës, i cili ka lidhur kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kudjesit Shëndetësor, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe deputetja e PS-së e njëkohësisht Nënkryetare e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Klodiana Spahiu, të shoqëruar nga Drejtori i Fondit, Astrit Beci, ndoqën nga afër rezultatet e ekzaminimit pa pagesë të koronarografisë së një prej pacientëve që përfitojnë nga shërbimet e kësaj pakete.
Prej pak ditësh, kemi filluar zbatimin në terren të një marrëdhënieje shumë më të ngushtë bashkëpunimi me institucionet shëndetësore jopublike, tha ministri Beqaj, duke iu referuar paketave të ndërhyrjeve të kardiologjisë që u miratuan nga Qeveria në muajin qershor. Më tej ai shtoi se "është bërë një punë e mirë nga Fondi dhe shërbimet universitare, për t'i standartizuar dhe për t'i kostuar këto shërbime", sipas tij janë lidhur tashmë kontratat me 5 spitale jopublike në Tiranë, "për të ofruar këtë shërbim shumë të nevojshëm për sëmundjet kardiake, për shëndetësinë tonë".
Ndërkohë, Spahiu u shprej se "duke qënë vetë kardiologe, e kuptoj mirë rëndësinë e madhe që ka realizimi i kësaj pakete, nevojat e mëdha që kanë qytetarët për këtë ekzaminim. Sëmundjet kardiovaskulare janë edhe sëmundjet me prevalencë dhe vdekshmëri më të lartë, prandaj edhe realizimi i këtyre paketave ka qenë prioritetet i punës së Qeverisë".
Nga lista e pritjes me rreth 500 pacientë në shërbimin e Kardiologjisë për plotësimin e nevojave kryesisht të koronarografive me një kohë mesatare pritjeje 4, apo 5-mujore, rreth 100 prej tyre do të mbulohen gjatë këtij viti nga shërbimi i Kardiologjisë pranë QSUT-së dhe rreth 150 të tjerë do të dalin nga kjo listë pritjeje me shërbime të realizuara, duke mundësuar kështu që brenda vitit kalendarik, të përgjysmohet lista e pritjes së këtij shërbimi. /a.ke/










